Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet dhe bilanci i javës së kaluar është 40 të arrestuar ose proceduar penalisht, 5134 masa administrative e 49 automjete të bllokuara, që janë transportuar me karrotrec.
Sipas bluve, në pranga apo nën procedim përfunduan drejtues mjetesh që janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, si dhe persona të larguar nga vendi i aksidentit.
Shifra më e lartë e gjobave lidhet me parkimin dhe qëndrimin e gabuar të automjeteve.
Konkretisht, 4418 drejtues janë ndëshkuar për ndalim, pushim apo qëndrim të gabuar.
Ndërkohë, 268 drejtues motomjetesh janë gjobitur për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 149 persona për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 130 të tjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Në listën e shkeljeve të konstatuara është edhe pozicionimi i gabuar në korsi, për të cilin janë ndëshkuar 123 drejtues e po ashtu, drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit, me 36 masa administrative.
Policia Rrugore iu bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e celularit e alkoolit në timon, si dhe të përdorin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.