Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, ku po diskutohet për raportin me shkrim të Bordit të SHSKUK-së lidhur me listat e pritjes në institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor, furnizimin me barna nga lista esenciale gjatë vitit 2026 dhe furnizimin me pajisje medicinale, po ashtu janë diskutuar sfidat në funksionimin e shërbimeve shëndetësore.

Deputetja nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar për numrin e pacientëve që presin për shërbime shëndetësore, duke thënë se statistikat nuk tregojnë përmirësim të qëndrueshëm.

Edhe deputetja nga Aleanca, Albana Bytyqi ka kërkuar që Bordi i SHSKUK-së të ftohet për raportim në Komision, në mënyrë që të diskutohen edhe një herë shqetësimet dhe kërkesat e ngritura lidhur me raportin.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sylejman Meholli, ka vlerësuar investimet në pajisje mjekësore dhe donacionet e siguruara për institucionet shëndetësore.

Ndërsa, deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, ka thënë se SHSKUK-ja ka mbi 3 mijë e 800 shtretër, duke theksuar se mungesa e pajisjeve është njëri ndër faktorët që ndikon në listat e gjata të pritjes./KP