Humbja e peshës lidhet drejtpërdrejt me sasinë e kalorive që marrim përmes ushqimit dhe energjisë që trupi ynë shpenzon gjatë ditës. Për të rënë nga pesha, duhet të konsumojmë më pak kalori sesa djeg organizmi. Ky proces njihet si deficit kalorik dhe përbën parimin bazë të dobësimit.
Megjithatë, sfida kryesore është të gjendet ekuilibri i duhur, në mënyrë që të humbasim yndyrën e tepërt pa dëmtuar masën muskulore dhe pa e privuar organizmin nga lëndët ushqyese që i nevojiten.
Deficiti kalorik duhet të përshtatet me nevojat e organizmit
Kur kaloritë që marrim nga ushqimi nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha këto nevoja, organizmi fillon të përdorë rezervat e tij energjetike, përfshirë edhe yndyrën e depozituar.
Për këtë arsye, deficiti prej 500 kalorish llogaritet në raport me sasinë e energjisë që nevojitet për të ruajtur peshën aktuale dhe jo duke hequr në mënyrë arbitrare të njëjtën sasi kalorish nga çdo regjim ushqimor.
Mosha, gjinia, pesha trupore dhe niveli i aktivitetit fizik janë disa nga faktorët që ndikojnë në këtë përllogaritje. Për një plan të përshtatur me nevojat individuale, rekomandohet konsultimi me një dietolog, i cili mund të marrë parasysh edhe zakonet ushqimore dhe gjendjen shëndetësore.
Pse humbja e shpejtë e peshës nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë?
Një rënie e menjëhershme e numrit në peshore mund të duket motivuese, por kjo nuk do të thotë se organizmi ka humbur vetëm yndyrë. Kufizimi i tepruar i kalorive rrit rrezikun e humbjes së masës muskulore, ndërsa mund të shtojë ndjesinë e urisë dhe ta bëjë më të vështirë vazhdimin e procesit të dobësimit.
Për rezultate më të sigurta dhe afatgjata, ekspertët rekomandojnë një rënie graduale në peshë, zakonisht rreth 0.5 deri në 0.9 kilogramë në javë. Megjithatë, kjo nuk duhet konsideruar si objektiv i detyrueshëm për të gjithë, pasi ritmi i përshtatshëm ndryshon nga një person te tjetri.
Lodhja e vazhdueshme, nervozizmi dhe mendimet e shpeshta për ushqimin mund të jenë shenja se kufizimi i kalorive është më i madh nga sa mund të përballojë organizmi.
Si të ruani masën muskulore gjatë dobësimit?
Ushtrimet e forcës luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e masës muskulore gjatë humbjes së peshës. Përfshirja e të paktën dy seancave stërvitore në javë, të përshtatura sipas mundësive dhe nivelit fizik të secilit, mund të ndihmojë në mbrojtjen e muskujve.
Po aq i rëndësishëm është edhe ushqimi. Vaktet e balancuara, që përmbajnë perime, fruta, proteina të mjaftueshme, drithëra integrale dhe yndyrna të shëndetshme, ndihmojnë në plotësimin e nevojave të organizmit dhe në ruajtjen e ndjesisë së ngopjes, edhe kur reduktohet marrja ditore e kalorive.
Nga ana tjetër, aktiviteti fizik nuk duhet të shihet si një mënyrë për të llogaritur saktësisht sa kalori shtesë mund të konsumojmë. Organizmi mund të kompensojë një pjesë të energjisë së shpenzuar gjatë aktivitetit fizik duke reduktuar shpenzimin e energjisë në procese të tjera. Për këtë arsye, kaloritë e djegura gjatë një stërvitjeje nuk përkthehen automatikisht në të njëjtën sasi kalorish shtesë që mund të konsumojmë.
Plani ushqimor duhet të përshtatet me ndryshimet e trupit
Ndërsa pesha trupore bie, zakonisht reduktohen edhe nevojat e organizmit për energji. Nëse pesha mbetet e pandryshuar për disa javë, është e rëndësishme të rivlerësohet programi ushqimor në bashkëpunim me dietologun, në vend që të bëhen kufizime të menjëhershme dhe drastike.
Një deficit kalorik i përshtatshëm duhet të mundësojë përparim gradual pa shkaktuar rraskapitje dhe pa eliminuar plotësisht ushqimet që na pëlqejnë.
Në këtë mënyrë, humbja e peshës mund të jetë më e qëndrueshme dhe rezultatet kanë më shumë gjasa të ruhen edhe pas përfundimit të procesit të dobësimit.










