Bayern Munich ka nisur të shqyrtojë alternativat për të përforcuar repartin ofensiv, në një moment kur e ardhmja e Michael Olise dhe Jamal Musiala mbetet e paqartë. Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, drejtuesit bavarezë po monitorojnë disa emra nga Premier League, me futbollistë të Liverpoolit dhe Manchester Cityt në listën e dëshirave.
Situata e Michael Olise është një nga çështjet që po shqetëson klubin gjerman. Francezi ka tërhequr interesimin e Barcelonës, Real Madridit, Arsenalit, Liverpoolit dhe Manchester Cityt. Megjithatë, futbollisti nuk dëshiron aktualisht një rikthim në Premier League.
Nga ana tjetër, Bayern ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij, e cila është e vlefshme deri në vitin 2029. Kjo situatë ka bërë që drejtuesit të shqyrtojnë edhe skenarë të tjerë për të ardhmen e repartit ofensiv.
Pikëpyetje ka edhe për Jamal Musiala. Drejtuesit bavarezë po vlerësojnë situatën e talentit gjerman, i cili po përballet me probleme shëndetësore neurologjike që shkaktojnë episode të shkurtra mungese. Këto shqetësime kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e rikthimit të tij në formën e mëparshme. Në këtë kontekst, në listën e Bayern Munich janë shfaqur tre emra të rëndësishëm nga futbolli anglez.
Sipas “TEAMtalk”, Rio Ngumoha është një nga objektivat kryesorë të bavarezëve te Liverpooli. Në vëmendjen e tyre është edhe Florian Wirtz, i cili gjithashtu aktivizohet te skuadra e drejtuar nga Arne Slot.
Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany po ndjek nga afër edhe situatën e Jérémy Doku te Manchester City. Sulmuesi belg nuk ka pasur një rol të qëndrueshëm si titullar këtë sezon, duke e nisur vetëm katër ndeshje nga minuta e parë në Premier League.
Megjithatë, Bayern nuk po kufizohet vetëm te emrat e Premier League. Klubi gjerman ka në vëzhgim edhe tre futbollistë që aktivizohen në Bundesligë: Ibrahim Maza të Bayer Leverkusenit, Said El Mala të Kolnit dhe Antonio Nusa të RB Leipzigut.
