Deputetët e opozitës kanë kërkuar që Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) të raportojë para Komisionit për Shëndetësi lidhur me listat e pritjes në institucionet shëndetësore, derisa deputetët e pozitës kanë theksuar investimet dhe donacionet për pajisje mjekësore.

Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, ku po diskutohet për raportin me shkrim të Bordit të SHSKUK-së lidhur me listat e pritjes në institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor, furnizimin me barna nga lista esenciale gjatë vitit 2026 dhe furnizimin me pajisje medicinale, po ashtu janë diskutuar sfidat në funksionimin e shërbimeve shëndetësore.


Deputetja nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar për numrin e pacientëve që presin për shërbime shëndetësore, duke thënë se statistikat nuk tregojnë përmirësim të qëndrueshëm.

“Nëse e shohim raportin, shifrat që kemi nuk flasin për përmirësim të qëndrueshëm dhe kushdo që lexon statistikat e sheh që mbase në vitin 2023 kur kanë qenë 14 mijë ka pas një lëvizje në vitin 2024 që shifra ka zbrit në 10 mijë pacientë në listën e pritjes. Në qershorin e vitit 2025 i kemi pasur mbi 12 mijë pacientë. Janar të këtij viti listat e pritjes figurojnë prej 12 mijë e 249 pacientë.

Këtyre ditëve është raportuar edhe për mbi 1 mijë e 300 pacientë të cilët presin në listat e pritës për koreografi, dhe kjo pritje në shumicën e rasteve merr kohë deri në një vit që e bën të pashmangshëm raportimin e bordit të SHKUK-së të jenë para komisionit, të diskutojmë një mori të argumenteve. P.sh a janë marrë përsipër raportet e auditimit të vitit 2024 të cilat evidentojnë po ashtu shkelje, sepse u përmend raporti i vitit 2025, por, në rast se bordi ka marrë përsipër që t’i trajtojë edhe të dhënat e vitit 2024, janë një mori temash, në të cilat klinika, sepse, po shihet ka pasur një shpërndarje të listave tek klinikat, do të ishte mirë që të kemi informatat se në cilat klinika është bërë shpërndarja e këtyre rasteve”, tha ajo.

Edhe deputetja nga Aleanca, Albana Bytyqi ka kërkuar që Bordi i SHSKUK-së të ftohet për raportim në Komision, në mënyrë që të diskutohen edhe një herë shqetësimet dhe kërkesat e ngritura lidhur me raportin.

“Ne kërkojmë nevojë urgjente që të thirret bordi i SHSKUK-së dhe të diskutojmë dhe njëherë këtë raport”, tha ajo.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sylejman Meholli, ka vlerësuar investimet në pajisje mjekësore dhe donacionet e siguruara për institucionet shëndetësore.

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar një mori të pajisjeve dhe aparaturës mjekësore donacione për vitin që po flasim, për raportin e vitit 2026. Një sasi të konsiderueshme të pajisjeve të siguruara përmes donacioneve që përmblidhen nën një shifër buxhetore prej 1 milion e 139 mijë e 572 euro. Pra, nuk është pak, tregon për një nivel të lartë të bashkëpunimit me donatorë, për një qasje të mirë dhe pozitive qoftë nga ana e MSH-së, qoftë nga ana e SHSKUK-së, apo spitaleve rajonale... MSH nuk është ndalur, ka bërë edhe investimet e veta në pajisje mjekësore, që duhet me u cekë, e që janë afër 4 milionë euro...Jemi prej dikastereve që kemi pasur mundësi me ngrit çështje para ministrit më shumë se çdo komision dhe ministri tjetër deri në këtë fazë”, tha Meholli.

Ndërsa, deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, ka thënë se SHSKUK-ja ka mbi 3 mijë e 800 shtretër, duke theksuar se mungesa e pajisjeve është njëri ndër faktorët që ndikon në listat e gjata të pritjes.

“SHSKUK-ja i ka mbi 3 mijë e 800 shtretër si organizatë buxhetore...Natyrisht se pajisjet janë një prej arsyejeve pse janë listat e pritjes të gjata, shpeshherë ka pasur paqëndrueshmëri në krijimin e organeve, mungese e qëndrueshmërisë qeverisëse dhe zgjedhjet e shpeshta janë ato që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore në të cilën kanë qenë të akomoduara rreth 20 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, kryesisht në digjitalizime, ndërhyrje në fëmijërinë e hershme, po edhe në menaxhimin e mbeturinave si projekt i ri, dhe jashtëzakonisht i rëndësishme ne menaxhimin e mbeturinave mjekësore”, ka thënë ai. /kp/