ryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën për krijimin e një sistemi unik të gjobave.
Në fjalën e tij, gjatë këtij aktiviteti, Rama deklaroi se tashmë procesi i vendosjes së gjobave do të jetë plotësisht i gjurmueshëm, me një bazë të unifikuar ligjore dhe identifikim të çdo punonjësi që merr vendimin për gjobitjen.
Rama deklaroi se qytetarët do të njoftohen menjëherë përmes platformës e-Albania dhe me mesazh në telefon, sapo të vendoset një gjobë.
“Ndërkohë që të gjitha institucionet që ju drejtoni mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobave nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell, në radhë të parë, njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës ‘e-Albania’, e cila njëkohësisht dërgon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë në mesazhet e tij në e-Albania gjobat që ka.
Po ashtu, janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, të cilat janë shumë të rëndësishme, si për institucionet, ashtu edhe për Inspektoratin e Përgjithshëm, për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, gjoba të paguara dhe gjoba të apeluara. Ndërkohë, do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ajo që besoj se është e rëndësishme të nënvizohet është se nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, një bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, gjë që u jep mundësi institucioneve dhe drejtuesve të tyre të shohin, si në një hartë, të gjitha proceset, si dhe sjelljen e të gjitha burimeve të tyre njerëzore”, tha Rama.
“Hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave, që përmbyll një proces jo të lehtë”, u shpreh kryeministri.
Në kuadër të kësaj nisme, Rama njoftoi gjithashtu se punonjësit e policisë dhe inspektorët e terrenit do të pajisen me kamera trupi, të cilat do të integrohen në sistemin e inteligjencës të ndërtuar në qendrën e monitorimit.
