De Bruyne: Arritjet e mia te Manchester City nuk do të njollosen nëse klubi dënohet

24 Nëntor 2026
12:30
Telesport
back button

Kevin De Bruyne këmbëngul se arritjet e tij nuk do të njollosen nëse Manchester City i hiqen titujt e fituar. Klubi anglez u shpall fajtor për shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Premier League.

Belgu fitoi një sërë trofesh, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe një Champions League, gjatë një periudhe të lavdishme 10-vjeçare te City, e cila përfundoi kur ai u transferua te Napoli në vitin 2025.

Ndër ndëshkimet me të cilat mund të përballet City është heqja e disa prej trofeve të fituara. De Bruyne, 35 vjeç, mbetet krenar për kontributin e tij në ato triumfe dhe ruan një dashuri të madhe për pronarët e klubit.

Belgu kthehet sot në stadiumin “Etihad” për ndeshjen mes Napoli dhe City në Champions League. Ai deklaroi në një konferencë për shtyp: “Jam krenar për atë që kam arritur si futbollist dhe, sinqerisht, ky është klubi im; i dua pronarët”.

“Madje kam biseduar edhe me presidentin rreth asaj se si mund të blihet një klub. Kam vetëm dashuri për këtë klub, ndjenjë që nuk do të ndryshojë kurrë, duke pasur parasysh mënyrën se si njerëzit aty më trajtuan mua dhe familjen time për 10 vite”, tha belgu.

Më tej, ai shtoi: “Në jetë ka rregulla, por të gjithë luajnë në kufijtë e lejuar. Unë kam luajtur brenda vijave të bardha, kam garuar kundër lojtarëve të tjerë dhe kam përjetuar shumë gjëra me ekipet e mia dhe me lojtarët e tjerë. Kjo është ajo që vlerësoj më shumë”.

“Kam dhënë gjithçka nga vetja dhe kjo nuk do të ndryshojë në mendjen time. Nuk besoj se shumë njerëz do ta ndryshojnë mendimin e tyre për mua si lojtar, apo për mënyrën se si kemi luajtur”, tha De Bruyne.

“Megjithatë, supozoj se secili ka mendimin e vet. Të tjerët mund të ndihen disi të ‘turpëruar’, por unë nuk mund të ndryshoj asgjë në lidhje me këtë”, përfundoi belgu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit