Erling Haaland mund të jetë protagonist i një prej transferimeve më të bujshme të merkatos së verës 2027. Sulmuesi norvegjez i Manchester Cityt ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha europiane, të cilat po monitorojnë me kujdes situatën e tij në Angli.
Liverpool, Paris Saint-Germain, Real Madrid dhe Barcelona janë katër klubet që kanë shfaqur interes për bomberin norvegjez, duke pritur të shohin se si do të zhvillohet e ardhmja e tij në Manchester.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat angleze, Manchester City mund të shqyrtojë një ofertë në vlerën e rreth 150 milionë eurove për Haalandin, pavarësisht se sulmuesi ka një kontratë afatgjatë me klubin deri në qershor të vitit 2034.
Një nga faktorët që ka shtuar spekulimet për të ardhmen e tij lidhet me mundësinë e ndëshkimeve ndaj Manchester Cityt në Premier League. Skenari i një penalizimi të rëndë, që mund të ndikonte edhe në projektin sportiv të klubit, mund të ndryshonte planet e drejtuesve dhe të hapte diskutime për largimin e disa prej yjeve të skuadrës.
Liverpooli thuhet se e ka monitoruar tashmë situatën e sulmuesit, ndërsa PSG, Real Madridi dhe Barcelona kanë gjithashtu kapacitetin financiar për të tentuar një operacion të përmasave të tilla.
Vëmendje të veçantë i kushtojnë kësaj situate edhe dy gjigantët e futbollit spanjoll. Real Madridi dhe Barcelona e shohin pasigurinë e mundshme rreth projektit të Manchester Cityt si një mundësi për t’u afruar me një prej sulmuesve më të kërkuar në futbollin europian.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet kontrata e Haalandit, e rinovuar në janar të vitit 2025 deri në vitin 2034, pa një klauzolë largimi. Kjo i jep Manchester Cityt një pozicion shumë të favorshëm në çdo negociatë të mundshme.
