Pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia në zonën ku ndodhi atentati i një dite më parë, kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e mundshme të autorëve.
Nga këqyrja paraprake e tyre dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë dy automjete. Njëri prej tyre, një automjet tip “Volvo”, është gjetur më pas i djegur në mbikalimin e Dërmenasit, ndërsa dyshohet se autorët janë shoqëruar edhe nga një automjet i dytë, i cili mund të ketë shërbyer për mbështetjen dhe largimin e tyre nga vendngjarja.
Sipas pamjeve të administruara nga grupi hetimor, personat që dyshohet se kanë kryer atentatin kanë qenë të veshur me rroba të zeza. Ndërkohë, automjeti i përdorur prej tyre dyshohet se ka pasur xhama të zinj, çka e ka vështirësuar identifikimin e personave që ndodheshin brenda tij.
Policia po vijon analizimin e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë në disa akse rrugore, me qëllim identifikimin e automjeteve dhe personave të përfshirë në këtë atentat të rëndë, ku humbën jetën dy persona
Selami Hasani është vrarë këtë të hënë, në një atentat pranë banesës së tij, ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani.
Ngjarja rikthen në vëmendje një histori të gjatë përplasjesh dhe gjakmarrjeje, që dyshohet se daton prej vitit 1994, mes Selami Hasanit dhe Arben Isufajt. Një konflikt i shoqëruar ndër vite me vrasje dhe atentate, pasojat e të cilit duket se vijojnë të shënojnë një tjetër kapitull të përgjakshëm.
