Totti shpërthen ndaj Romës dhe familjarëve: Më shfrytëzuan, prisja më shumë respekt Gola, të rinj dhe kritere të reja arbitrimi, tashmë mund të thuhet pa frikën e kundërshtimit: Serie A po ndryshon fytyrë. Pas 12 javësh kampionat, shifrat janë të qarta dhe nuk lënë vend për dyshime: futbolli italian po evoluon dhe ky transformim ka nisur të vërehet edhe jashtë kufijve të Italisë.
Numër rekord golash; 100 më shumë se një vit më parë
Një vit më parë, në këtë periudhë, kampionati po regjistronte një rekord negativ historik, me vetëm 11 gola të shënuar në një javë, shifra më e ulët e të gjitha kohërave. Sot, tabloja është krejtësisht e kundërt: në 120 ndeshje janë regjistruar vetëm dy barazime pa gola (Como-Roma dhe Parma-Udinese), ndërsa në javën që vendosi rekordin negativ të përmendur më sipër ishin regjistruar katër të tilla. Në total janë shënuar plot 379 gola, shifra më e lartë e shtatë viteve të fundit. Mesatarja prej 3,15 golash për ndeshje është më e ulët vetëm se ajo e Bundesligës, kampionatit që njihet prej kohësh për ndeshjet spektakolare, me shumë gola dhe mbrojtjet jo gjithmonë të sigurta. Dymbëdhjetë muaj më parë, pas 12 javësh kampionat, ishin shënuar 279 gola. Sot janë plot 100 gola më shumë, shifra që nuk mund të jenë thjesht rastësi. Në këtë proces transformimi, meritë të veçantë ka edhe qasja e re e arbitrimit. Linja e vendosur nga kryetari i ri i arbitrave, Orsato, po i nxit skuadrat të përballen me njëra-tjetrën pa kërkuar të fitojnë kohë përmes ndërprerjeve të qëllimshme apo faulleve të lehta. Rezultati është një rritje e ndjeshme e numrit të golave dhe e kohës efektive të lojës, e cila është shtuar mesatarisht me gati pesë minuta, nga 54 minuta e 32 sekonda në 58 minuta e 7 sekonda. Sa më shumë minuta të luhet realisht gjatë një ndeshjeje, aq më shumë lodhen futbollistët dhe aq më të prirur bëhen për të gabuar, duke krijuar kështu më shumë mundësi për shënimin e golave. Për spektaklin, ky është një rreth vicioz pozitiv.
Gola dhe yje të rinj; Serie A tani pëlqehet edhe jashtë Italisë
Një spektakël që po rrit vlerësimin për kampionatin italian edhe në sytë e tifozëve jashtë vendit. Mjafton të shohësh se çfarë shkruan për Serie A ‘The Athletic’, platforma sportive e ‘Neë York Times’, në një artikull me titull: ‘Serie A, shtëpia e re e golave dhe yjeve të rinj’. Përveç numrit të golave, një tjetër risi është besimi i shtuar dhe hapësira që po u jepet talenteve të reja: ‘Monza, Frosinone, Parma, Sassuolo, Cagliari, Como, Torino, Venezia, Roma dhe Genoa kanë të gjitha skuadra me një moshë mesatare nga 23 deri në 26 vjeç. Futbollistë si Pio Esposito, Alphadjo Cisse, Mattia Liberali, Simone Lontani dhe Matteo Palma japin arsye për të besuar në një të ardhme më të ndritur të Italisë në arenën ndërkombëtare. Paz, Matias Soulé dhe Franco Mastantuono tregojnë se edhe pas Lionel Messit, Argjentina ka ende talente të mëdha. Rodrigo Mora ka qenë një kënaqësi për t’u parë në fushë me fanellën e Romës, ashtu si Diego Moreira me atë të Milanit’-shkruan portali amerikan.
Serie A, më e bukur se Premier League
Talente të rinj që po bëjnë emër, ndeshje emocionuese dhe gola me bollëk, të cilat për sa i përket spektaklit dhe tërheqjes së ndeshjeve e vendosin Serie A në të njëjtin nivel me Premier League. ‘Premier League regjistron mesataren më të ulët të golave për ndeshje krahasuar me të gjitha kampionatet e tjera mes pesë ligave më të forta europiane. Ndeshjet janë bërë gjithnjë e më të ashpra, të karakterizuara nga loja fizike dhe goditjet standarde, pasi kampionati është aq konkurrues sa skuadrat neutralizojnë njëra-tjetrën’-shkruan më tej The Athletic. Kampionati që për vite me radhë ka qenë NBA-ja e futbollit për nga atletizmi dhe spektakli, sot e gjen përfaqësimin e tij më të mirë te loja fizike dhe pa shumë finesë e Arsenalit të Artetës. Kështu, Serie A mund të përfitojë nga kjo situatë për të rifituar zemrat e tifozëve të huaj. Ky është një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar në rritjen e futbollit italian, pasi diferenca e madhe me Premier League-n për sa u përket të ardhurave vjen edhe nga shitja e të drejtave televizive në tregjet ndërkombëtare. Rruga drejt rikthimit në majat e futbollit është tashmë e hapur. Tani duhet vetëm guximi për ta ndjekur deri në fund.
Top Channel