Një shtyrje e mundshme e afatit të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore përtej datës 30 nëntor, nuk shihet me dakordësi të plotë nga Taulant Balla. Kreu i grupit të socialistëve thotë se koha është e mjaftueshme që reforma të kalojë brenda dhjetorit.

Vetëm nëse ekspertët e Komisionit të Venecias të cilët vijnë nesër në Tiranë mund të kenë rekomandime, Balla lë një ‘fije’ shprese për demokratët duke u shprehur “do t’i shohim të gjitha”.

Ajo për të cilën nuk lëshon pe, është votimi më 21 dhjetor i ligjit për financimin e partive.

“Këtu vetëm shpejtësi nuk ka pasur, ka 7 vjet që diskutohet. Pas 7 vjetësh të gjithë jemi dakord me atë draft. Kemi shprehur dakordësinë. Koha është e mjaftueshme që deri në përfundim të këtij sesioni më 21 dhjetor, të kalojë. Për ligjin e financimit të partive politike nuk ka anshmëri. Nëse eksperti i Komisionit të Venecias do të ketë rekomandimet e veta do të ishte mirë të adresohen dhe të depozitohet drafti i ligjit brenda datës 30. Edhe për këtë çështje ka kohë mjaftueshmërisht që ta adresojë.

Data 30 do të jetë data e fundit. Dëshira jonë është të mos shkojmë kurrë në mënyrë të njëanshme. Ligji duhet të miratohet brenda 31 dhjetorit të këtij viti, është detyrim. Në funksion të punës së mirë dhe përmbushjes së bashkëjetesës parlamentare do t’i shohim të gjitha. Ligji i financimeve të partive politike do të votohet më 21 dhjetor”, shprehet Balla.

Për kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e identifikimit elektronik në zgjedhjet 2027, Balla shprehet në mbështetje të kësaj metode, si eksperiencë “tejet pozitive”.

“Eksperienca e 3 palë zgjedhjeve me votim elektronik, ka treguar që ka qenë tejet pozitive. S’ka gjë më të bukur se sapo mbyllen qv del rezultati. E mbështesim plotësisht identifikimin dhe votimin elektronik. Zgjidhja më e mirë do të ishte numërimi në qendrat e votimit”, tha Balla.