Sistemi Unik i Gjobave, e-Gjoba, do të sjellë një mënyrë të re administrimi të kundërvajtjeve administrative në vend, duke i dhënë fund praktikës së gjobave të vendosura në letër. Platforma e re digjitale synon të rrisë transparencën, gjurmueshmërinë dhe informimin e qytetarëve dhe bizneseve për çdo penalitet.
Përmes sistemit e-Gjoba, çdo kundërvajtje do të pajiset me një numër unik identifikimi dhe një bazë të qartë ligjore. Qytetarët do të njoftohen për gjobat përmes platformës e-Albania dhe mesazheve në telefon, ndërsa do të kenë mundësi t’i kontrollojnë, paguajnë dhe apelojnë ato në mënyrë digjitale.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të sistemit, u shpreh se kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
Sipas saj, institucionet që kanë përgjegjësi ligjore për monitorimin dhe zbatimin e ligjit kanë operuar deri më tani në mënyrë të pavarur në vendosjen e penaliteteve. Sistemi i ri synon të unifikojë këtë proces, duke përqendruar informacionin në një platformë të vetme dhe duke garantuar më shumë transparencë për qytetarët dhe bizneset.
“Institucione të cilat i kanë përgjegjësi ligjore të monitoruar për të siguruar zbatimin ligjin dhe institucione që deri më sot kanë operuar në mënyrë të pavarur me të gjithë penalitete. Që në krye të herës qëllimi është të rrisin transparencën, komunikimin me bizneset, por në këtë rast edhe me qytetarët me qëllim që të ketë më shumë para shikueshmëri dhe më shumë informacion të dhënë dhe sistemi i gjobave që ne kemi dhe që po e lancojmë është një hap më shumë drejtë finalizimit të asaj reforme’, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se një nga risitë kryesore është informimi në kohë reale i bizneseve për gjobat e vendosura, afatet e ankimit dhe të drejtat që ato kanë.
Ajo bëri të ditur se informacioni do të jetë i përqendruar në një vend të vetëm dhe bizneset do të njoftohen në kohë reale përmes telefonit.
‘Është e rëndësishme kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetit që ai merr, por të jetë i informuar në kohë për afatet e ankimit dhe sigurisht të mos e gjej veten me një penalitet të vendosur pa pasur informacion duke gjeneruar kamat vonese dhe të mos dijë të drejtat dhe detyrimet që ai ka. Është ë rëndësishme që informacion të jetë i vendosur në një vend dhe biznesi të dijë si mund të ankimohet. Bizneset do të informohen në kohë reale , mjetet e komunikimet do të jenë nëpërmjet telefonit. Është një hap më tej drejt rritjes së transparencës, drejte rritjes së konkurrencës dhe klimës së biznesit”, tha ministrja.










