Kevin De Bruyne nuk pranon që arritjet e tij te Manchester City të njollosen, edhe nëse klubi anglez dënohet me heqje titujsh. Klubi u shpall fajtor për shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Premier League, dhe ndër ndëshkimet e mundshme është heqja e disa prej trofeve të fituar.
Belgu, 35 vjeç, fitoi gjashtë tituj të Premier League dhe një Champions League gjatë dhjetë viteve te City. Periudha e tij e lavdishme në klub përfundoi kur u transferua te Napoli në vitin 2025.
De Bruyne: kam luajtur brenda rregullave
Në një konferencë për shtyp, De Bruyne u shpreh se është krenar për atë që ka arritur si futbollist dhe se City mbetet klubi i tij. “I dua pronarët”, theksoi ai, duke shtuar se ka biseduar edhe me presidentin për mënyrën se si mund të blihet një klub.
Lidhja me klubin, sipas tij, nuk do të ndryshojë kurrë, për shkak të trajtimit që ai dhe familja e tij morën për dhjetë vjet. “Kam vetëm dashuri për këtë klub”, deklaroi belgu.
Ai u ndal edhe te mënyra se si e sheh garën. Sipas De Bruyne, në jetë ka rregulla, por të gjithë luajnë në kufijtë e lejuar. Vetë ai thekson se ka luajtur brenda vijave të bardha, ka garuar kundër lojtarëve të tjerë dhe ka përjetuar shumë gjëra me ekipet e tij.
“Kam dhënë gjithçka nga vetja dhe kjo nuk do të ndryshojë në mendjen time”, tha ai. De Bruyne nuk beson se shumë njerëz do ta ndryshojnë mendimin për të si lojtar, apo për mënyrën se si ka luajtur ekipi.
Megjithatë, ai pranon se secili ka mendimin e vet. Sipas tij, të tjerët mund të ndihen disi të turpëruar, por ai nuk mund të ndryshojë asgjë në lidhje me këtë.
Belgu kthehet sot në stadiumin “Etihad”, për ndeshjen mes Napolit dhe City në Champions League. Takimi e vendos atë përballë ish-klubit të tij, në një moment kur e ardhmja e trofeve të fituar nga City mbetet e pasigurt.
