Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar mëngjesin e sotëm (24 nëntor) pro përjashtimit të Elisa Spiropalit. Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet e larta drejtuese të partisë, por mbetet anëtare e thjeshtë.
Vetë Elisa Spiropali s’ka qenë e pranishëm në mbledhje e as lideri i cili dha urdhërin e prerë.
Burime për Boldnews.al konfirmojnë disa problematika dhe shkelje proceruash në mbledhjen e sotme të grupit të PS.
E para, siç e raportuam edhe më herët, Elisa Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së pasi nuk është thirrur.
Shkelja e dytë konsiston në faktin se rendi i ditës nuk është njoftuar paraprakisht siç ndodh gjithmonë. Pra lideri mesa duket është zgjuar këtë mëngjes herët dhe ka urdhëruar që kjo punë duhet të mbarojë me patjetër sot!
Shkelja e tretë lidhet me propozimin që vendimmarrja e Asamblesë të merret e mirëqenë, pa votim formal, ndërkohë që gjysma e Grupit Parlamentar nuk ka ngritur dorën.
Të gjitha këto ngrenë pikëpyetje se çfarë e frikëson Edi Ramën që urdhëron të shkelen rregullat e Grupit Parlamentar dhe të shmangë votimin e rregullut?
Kujtojmë se vendimi për Spiropalin vjen pas kritikave të saj ndaj mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku deputetja ka kërkuar ndryshim të modelit të drejtimit.
Përplasja e Spiropalit me Rama-Ballukun
Elisa Spiropali ka treguar pak ditë më parë në emisionin “Top Story” se përplasja e saj me kryeministrin Edi Rama lidhet me largimin nga posti i ministres së Jashtme, mosdakordësinë me modelin e qeverisjes brenda Partisë Socialiste dhe qëndrimin e saj ndaj çështjes së Belinda Ballukut.
Spiropali tha se mosvotimi për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut ishte një akt politik. Ajo theksoi se kundërshtimi nuk kishte të bënte me mbrojtjen personale të Ballukut, por me modelin e qeverisjes që, sipas saj, përfaqëson.
Spiropali u shpreh se Balluku është modeli më i keq i qeverisjes brenda forcës politike, por shtoi se ndien keqardhje për të në aspektin njerëzor.
“Dua ta them me plot gojën që, sa u takon fjalëve që janë thënë për antiligjshmëritë, për lidhjet me partnerët, këto janë mënyrat, besoj unë, më primitive për të adresuar problematika që nuk kanë lidhje me të.
Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.
Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë. Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.
LEXO EDHE:
SPAK regjistron procedim penal ndaj Elisa Spiropalit dhe bashkëshortit të saj













