Peleshi pret homologun e Moldavisë, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetja për integrimin europian në fokus të takimit
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kuvend Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Grosu, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të vizitës së tij zyrtare.
Gjatë takimit, të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Moldavisë dhe shprehën vullnetin për t’i thelluar më tej ato, veçanërisht përmes forcimit të bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave institucionale.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte perspektiva europiane e të dy vendeve. Kryetari Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për procesin e integrimit të Moldavisë në Bashkimin Europian, duke vlerësuar përparimin e arritur në negociatat e anëtarësimit, ku deri tani janë hapur katër nga gjashtë grupkapitujt negociues.
Në këtë kuadër, Peleshi ndau përvojën e Shqipërisë në procesin e negociatave, veçanërisht në përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, reformën në drejtësi, në administratën publike, reformën territoriale dhe forcimin e institucioneve. Ai vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës mes dy parlamenteve për të mbështetur reformat dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.
Në fokus të bisedës ishte edhe situata e sigurisë në rajon, mbrojtja e institucioneve demokratike dhe përballimi i kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit. Të dy palët nënvizuan rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit në forumet parlamentare ndërkombëtare, si dhe të angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit rajonal.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me fokus në turizëm, bujqësi, teknologji, inovacion dhe investime. U vlerësua potenciali për të nxitur lidhjet mes komuniteteve të biznesit, si dhe shkëmbimet në fushën e arsimit, kulturës dhe kontakteve mes qytetarëve të të dy vendeve.
Shqipëria dhe Moldavia ndajnë të njëjtin objektiv strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim, bashkëpunimi parlamentar dhe shkëmbimi i përvojave mbeten të rëndësishme për të mbështetur reformat dhe përparimin e të dy vendeve në këtë proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




