Sejko: Kërkimi ekonomik të na ndihmojë përballë pasigurisë dhe ndryshimit në rritje

Banka e Shqipërisë nisi sot në Tiranë edicionin e 20-të të Workshop-it të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore, me temë: “Politika monetare, stabiliteti financiar dhe inteligjenca artificiale në një botë me pasiguri të lartë”.
Gjatë dy dekadave, ky aktivitet shkencor i përvitshëm është shndërruar në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe zhvillimin e kërkimit ekonomik në rajon. Që prej edicionit të parë të tij, të mbajtur në vitin 2007, në këtë aktivitet janë prezantuar 495 punime kërkimore, nga studiues që përfaqësojnë 139 institucione në 44 vende të botës.
Edicioni i 20-të i workshop-it u hap me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe të Zëvendësambasadorit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Philipp Arnold.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se bankat qendrore po përballen me vendime gjithnjë e më komplekse, në një mjedis të karakterizuar nga pasiguria, goditjet e jashtme dhe ndryshimet strukturore. Në këto kushte, kërkimi ekonomik merr një rëndësi të veçantë, pasi ndihmon në kuptimin e mekanizmave të ekonomisë, identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes mbi baza të qëndrueshme analitike.
Ai nënvizoi se puna kërkimore dhe analitike e Bankës së Shqipërisë ka mbështetur ndër vite vendimmarrjen e politikës monetare dhe hartimin e masave që kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe uljen e kredive me probleme.
Guvernatori vuri në dukje se këto rezultate kanë rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve, pasi ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në ruajtjen e fuqisë blerëse, në lehtësimin e aksesit në financim, si dhe në forcimin e besimit në sistemin bankar.
Duke iu referuar agjendës së ardhshme kërkimore, Guvernatori nënvizoi tri përparësi kryesore: përmirësimin e analizës së ndryshimeve strukturore dhe të mekanizmave të transmetimit të goditjeve; forcimin e parashikimeve dhe të vlerësimit të pasigurisë përmes skenarëve alternativë; si dhe thellimin e analizës së ndërlidhjeve ndërmjet politikës monetare, politikës makroprudenciale dhe stabilitetit financiar.
Sa i përket inteligjencës artificiale, Guvernatori theksoi rëndësinë e përdorimit të saj në funksion të pyetjeve kërkimore, duke ruajtur njëkohësisht cilësinë metodologjike. Ai nënvizoi se vlera e kërkimit shkencor përcaktohet nga qëndrueshmëria metodologjike dhe njohuritë e reja që ai sjell.
Në këtë drejtim, Guvernatori prezantoi edhe dy nisma konkrete: krijimin e një serie të përbashkët botimesh kërkimore (Working Paper Series), të lidhur me Workshop-in, si dhe ngritjen e një kuadri të qartë për aksesin e studiuesve në mikrodatat e Bankës së Shqipërisë. Këto nisma synojnë të nxisin studime më të thelluara mbi ekonominë shqiptare, si dhe analiza krahasuese me vendet e tjera të rajonit.
Folësi kryesor i këtij edicioni është prof. Harald Uhlig, profesor i ekonomisë në Universitetin e Çikagos. Në kumtesën e tij, prof. Uhlig do të trajtojë rolin e rezervave të bankave qendrore dhe të ndërhyrjeve të tyre si blerëse të instancës së fundit, në rastet kur tregjet dytësore përballen me ngrirje të aktivitetit.
Gjatë dy ditëve të Workshop-it do të prezantohen dhe diskutohen 40 punime kërkimore, tetë prej të cilave janë hartuar nga autorë ose bashkautorë të Bankës së Shqipërisë. Punimet e tjera vijnë nga studiues të bankave qendrore, universiteteve dhe institucioneve kërkimore.
Diskutimet do të përqendrohen në një sërë çështjesh me rëndësi për zhvillimet ekonomike dhe financiare, ndër të cilat roli i inteligjencës artificiale në ekonomi, rreziqet gjeopolitike, pagesat digjitale, kursi i këmbimit dhe komunikimi i bankave qendrore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









