Maroku denoncon telefonatën “misterioze” mes një gjyqtari të CAS-it dhe presidentit të Senegalit para vendimit

24 Nëntor 2026
13:32
Alfred Lleshi
back button

Polemikat për vendimin mbi Kupën e Afrikës kanë marrë një tjetër drejtim. Maroku ka njoftuar Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për një telefonatë të dyshuar mes Abdoulaye Fall, presidentit të Federatës Senegaleze të Futbollit, dhe njërit prej gjyqtarëve të çështjes, sipas një burimi të cituar nga “Reuters”.

Telefonata dyshohet se është zhvilluar të dielën me Ulrich Haas, juristin gjerman, pjesë e trupit gjykues që shqyrton ankesën e Senegalit. Megjithatë, bëhet fjalë për një pretendim të palës marokene. “Reuters” nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse biseda ka ndodhur apo çfarë është diskutuar.

Senegali i ka mohuar akuzat. Abdoulaye Sow, sekretari i përgjithshëm i federatës, e ka cilësuar telefonatën si “imagjinare”, duke pretenduar se Fall “nuk i njeh as gjyqtarët” e çështjes dhe nuk ishte i pranishëm në seancë.

CAS ka njoftuar se vendimi do të komunikohet këtë të martë, më 24 nëntor, pasdite. Çështja lidhet me finalen e janarit, të cilën Senegali e fitoi 1-0 pas shtesave. Më pas, CAF anuloi rezultatin dhe i dha Marokut fitoren 3-0 në tavolinë, duke e konsideruar largimin e përkohshëm të Senegalit nga fusha si braktisje të ndeshjes. Senegali kërkon rikthimin e titullit përmes apelimit në CAS.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit