Banorët e Bulqizës po përballen sërish me përmbytjen e rrugës që lidh dy lagjet e qytetit, një problematikë e përsëritur edhe këtë vit, pas situatës së ngjashme të vitit të kaluar.
Rruga është mbuluar nga uji, duke vështirësuar lëvizjen si për këmbësorët, ashtu edhe për automjetet. Për të kaluar nga njëra lagje në tjetrën, qytetarët janë detyruar të vendosin gurë dhe pllaka, në përpjekje për të mos u zhytur në ujë.
Sipas banorëve, rruga përmbytet sa herë ka reshje shiu, ndërsa nga uji nuk ka shpëtuar as terminali i autobusëve. Vështirësi në qarkullim kanë edhe automjetet e vogla.
Shkak për këtë situatë është kanali ujëmbledhës mes dy lagjeve, i cili nis nga Qafa e Buallit. Edhe pse vitin e kaluar kanali u zgjerua, ndërhyrja nuk ka mjaftuar për të përballuar prurjet e mëdha të ujit pas reshjeve të fundit.