Analisti Fatos Lubonja ka komentuar vizitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, në ambientet e SPAK. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Lubonja u ndal te qasja e ambasadorit të ri amerikan, ndryshimi i pushtetit në SHBA dhe ndikimi që kjo ka pasur në marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me administratën amerikane.

Lubonja u shpreh se ndryshe nga paraardhësja e tij, Yuri Kim, ambasadori Wendt shfaqet më i tërhequr dhe me më pak protagonizëm. Sipas analistit, ndryshimi i administratës në Uashington ka bërë që Rama të humbasë një pjesë të ndikimit që kishte përmes lobingjeve të lidhura me demokratët amerikanë.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për funksionimin e SPAK pas largimit të Altin Dumanit, duke pretenduar se prokurorët nuk po veprojnë me pavarësinë e duhur. Lubonja komentoi edhe çështjen e Erion Veliajt, duke theksuar se prokuroria duhet të hetojë pretendimet dhe të mos ndikohet nga presionet politike.

“Interesante. Na ka vënë re mungesë protagonizmi dhe tërheqjen e Ambasadës Amerikane. Jo e zakonshme këto, kur Yuri Kim ishte shumë aktive, arriti deri aty sa kërcënoi opozitën se do të hante bar. Ambasadori duket një njeri më i tërhequr, ndoshta nuk ka protagonizëm. Ka ndryshuar pushteti në SHBA, pra Rama, me ikjen e demokratëve, ka humbur një lloj pushteti që kishte nëpërmjet lobingjeve të tij, që ishin më afër demokratëve, të cilat çuan në nxjerrjen e Berishës non grata.

Këtë krah atje nuk e ka, sepse ky krah është armik me Trump. Ai e ka kthyer tani dhe thotë: si të afrohem me Trumpin. Amerikanët sot janë as mish, as peshk. Ky (Rama), për të kapur Trumpin, i dha asaj ambasadores greke gaz shqiptar. Këtë e bëri për t’i bërë qejfin asaj, se ajo ishte e lidhur me Trumpin asokohe. Ky është në tentativa për të kapur… Këtu ka të bëjë dhe integriteti i këtij gjenerali. Mund të jetë njeri i heshtur, por jo i kapur dhe të bëjë detyrën e vet me seriozitet. Më shumë s’më pëlqen heshtja, por më mirë ky sesa Yuri Kim.

Prokurorët nuk po sillen mirë. Që kur iku Dumani, e treguan qartë se janë të kapur. Marrin gjithë ato lekë dhe diçka do të bëjnë, por do të ikë ky regjim. Që ky regjim i ka marrë rrugët, ajo dihet, por se kur do të bjerë, nuk e dimë. Këtu po ndodhin gjëra. Edhe për Veliajn që përmendëm më herët, si ka mundësi të dërgohet ministri i Drejtësisë (Ai-Rama) kërcënon. E kupton se çfarë mund të bëhet? Ti hetoje. Mund të gënjejë Veliaj, por ti hetoje. Prokuroria nuk vepron fare, pasi nuk ka fuqi, nuk ka këllqe. Vetëm kameriera kanë 180 këtu në Shqipëri amerikanët. S’e dinë amerikanët se çfarë bëhet këtu? Ku e dimë ne? Po e dinë! E di gjithë populli shqiptar. Krim dhe korrupsion!”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: