Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i rëndë i ndodhur një ditë më parë në lagjen “1 Maji” në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani, i njohur me nofkën “Sel Çami”, dhe nipi i tij.
Pamjet e sigurisë tregojnë momentin kur automjeti i dyshuar i autorëve, një “Volvo” me ngjyrë të bardhë, kalon përpara hyrjes së banesës së Hasanit, pak përpara sulmit me armë zjarri.
E njëjta makinë u gjet e djegur pak minuta pas krimit, pranë rrethrrotullimit të Ndërmenasit. Brenda automjetit u zbuluan edhe dy pistoleta me silenciator, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë atentatit.
Sipas informacioneve të raportuara, në realizimin e atentatit dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën tre persona.
Dy prej tyre mendohet se kanë pasur rolin e ekzekutorëve, ndërsa personi i tretë ka drejtuar automjetin me të cilin autorët janë larguar nga vendngjarja.
Në momentin e sulmit, Selami Hasani dhe nipi i tij ndodheshin në oborrin e banesës, ku po punonin tokën.
Autorët dyshohet se kanë shfrytëzuar këtë moment për të hapur zjarr në drejtim të tyre.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, hetuesit kanë gjetur të paktën 10 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra.
Sipas të dhënave paraprake, Selami Hasani është goditur nga të paktën pesë plumba, ndërsa nipi i tij ka marrë tre plumba.
Një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me mënyrën se si autorët kanë arritur të hyjnë në lagjen “1 Maji” pa ngjallur dyshime.
Sipas informacioneve jozyrtare, ata mund të kenë qenë të maskuar dhe të veshur me uniforma të ngjashme me ato të policisë, për të shmangur identifikimin dhe për të lëvizur më lehtë në zonë.
Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Policia e Shtetit.
Lagjja “1 Maji” konsiderohet një zonë e monitoruar, ku për shkak të konflikteve të mëparshme mes grupeve rivale kriminale, lëvizjet e personave të panjohur mund të tërheqin vëmendje.
Pavarësisht pranisë së kamerave të sigurisë, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur armë me silenciator për të kufizuar zhurmën e të shtënave.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe një pistë tjetër, atë të përdorimit të mundshëm të një droni për të survejuar lëvizjet e Selami Hasanit.
Dyshohet se autorët mund ta kenë mbajtur nën vëzhgim viktimën përpara atentatit, duke pritur momentin kur ai do të dilte nga banesa në oborr.
Sipas informacioneve të raportuara, Hasani tregonte kujdes të veçantë për sigurinë personale dhe qëndronte kryesisht në pronën e tij në lagjen “1 Maji”.
Për këtë arsye, po hetohet mundësia që autorët të kenë përdorur mjete teknologjike për të përcaktuar momentin më të përshtatshëm për sulmin.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se gjatë përgatitjes së atentatit është përdorur dron.
Automjeti i djegur, armët e sekuestruara dhe pamjet e kamerave të sigurisë janë ndër provat që po analizohen për të rindërtuar lëvizjet e autorëve përpara dhe pas krimit.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë itinerarin e ndjekur nga makina “Volvo”, mënyrën e organizimit të atentatit dhe identitetin e personave të përfshirë.
Pistat e maskimit me uniforma policie dhe survejimit me dron mbeten dyshime në proces verifikimi, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
