Një tjetër rast që vë në pah problematikat e shërbimit shëndetësor publik është denoncuar në QSUT “Nënë Tereza”.
Një paciente, e cila kishte pritur prej muajit gusht për të kryer një rezonancë magnetike me kontrast, është njoftuar ditën e ekzaminimit se aparatura nuk funksionon. Alternativa që i është lënë: të shkojë në privat ose të presë.
Rasti është bërë publik nga gazetari Osman Stafa, i cili ka komunikuar edhe me pacienten dhe ka publikuar dëshminë e saj.
Pacientja tregon se kishte mbërritur në QSUT me ambulancë, pasi kishte pasur probleme të rënda shëndetësore, duke qenë pothuajse e bllokuar në pjesën e qafës dhe shtyllës kurrizore. Për shkak të gjendjes së saj, ishte dyshuar edhe mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas konsultës me neurokirurgun, asaj i ishte rekomanduar kryerja e një rezonance magnetike me kontrast. Duke ndjekur procedurat në sistemin publik, pacientja ishte drejtuar te mjeku i familjes, i cili e kishte orientuar për të marrë datën e ekzaminimit.
Data e caktuar ishte 24 nëntor 2026, një takim që pacientja e kishte siguruar që në muajin gusht, pas disa muajsh pritjeje.
Por ditën kur më në fund duhej të kryente ekzaminimin, ajo është përballur me një surprizë të pakëndshme.
Pasi kishte marrë dokumentacionin dhe ishte paraqitur në sektorin përkatës, i është komunikuar se rezonanca me kontrast nuk mund të kryhej, pasi aparatura ishte jashtë funksionit.














