Katër të arrestuarit për rastin e Arlinda Zekajt, dyshohen për ndihmë në vrasje dhe ndihmë pas kryerjes së krimit
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se katër persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas komunikatës, dy nga të ndaluarit, me inicialet N.S. dhe D.S., dyshohen për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale – vrasje e rëndë”.
Ndërkaq, dy personat e tjerë, me inicialet M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat dyshohen.
Po ashtu, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të vrasjes.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.















