Katër persona të tjerë janë arrestuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt. Mes të arrestuarve është edhe ish-vjehrra e Arlindës, Nurije Sylaj, e cila dyshohet për shtyrje drejt vrasjes, si dhe ish-kunati i saj Driton Sylaj. Arrestimi i tyre vjen rreth një muaj pas vrasjes, ndërsa hetimet tashmë po përfshijnë edhe rolin e dyshuar të familjarëve të bashkëshortit në këtë rast. Arlinda Zekaj, u vra më 25 tetor të këtij vitit, nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhër mbrojtës, ndërsa tri ditë para se të vritej i ishte drejtuar edhe kryeprokurores së Pejës për të shprehur shqetësimin për sigurinë e saj. Vrasja nxiti protesta, me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë rast.