Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka njoftuar organizimin e një mbrëmjeje përkujtimore në nder të artistit, me qëllim kujtimin e jetës dhe kontributit të tij në muzikën shqiptare.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Instagram, familja Kasapi ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet të dielën, më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Në mesazhin e publikuar, familjarët kanë ftuar të gjithë ata që e kanë njohur, dashur dhe vlerësuar këngëtarin që të jenë pjesë e këtij organizimi përkujtimor.
“Ju njoftojmë se të dielën, më 29 Nëntor, në orën 18.00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, e përkujtojmë Shpatin dhe veprën e tij artistike”, thuhet në njoftimin e familjes.
Mbrëmja pritet të jetë një moment kujtese për këngëtarin, i cili me muzikën dhe interpretimet e tij la gjurmë te publiku shqiptar.
Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare duke lënë pas bashkëshorten Selvije dhe djalin e tyre, Roel.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shkaktoi reagime të shumta në publik dhe në radhët e artistëve, ndërsa këngët e tij vijojnë të kujtohen nga admiruesit e muzikës së tij.







Komente
Komento