Dëmshpërblimet në Maliq mbeten në letër, banorët e prekur nga përmbytjet e para një viti presin lekët
Një vit më parë, nëntori dhe më pas janari sollën dy përmbytje masive në juglindje të vendit. Qindra hektarë tokë bujqësore, banesa dhe biznese u dëmtuan nga vërshimi i ujërave.
Mes subjekteve më të dëmtuara ishte edhe një fabrikë për përpunimin e kërmillit në Maliq. Pronari i fabrikës, Kristo Zguri thotë se pas përmbytjes u premtua kompensim financiar dhe se për dëmet u mbajtën edhe procesverbale.
“Unë jam përmbytur rreth 500 milion lekë. Gjithë malli që ishte brenda u përmbyt. Erdhi për shkak të bashkisë, mbi fabrikën time ka kanal. Asnjë lek nuk na kanë dhënë. Do u japim e llafe kot, por asgjë. Lëre atë, por u vërsul edhe AKU-ja, pse nuk e ke në gjendje të mirë stabilimentin, 7 milion gjobë ata. Unë kam shuar shpresat me këta njerëz. Këta janë organizim kaq i mirë dhe sulmojnë nga gjithë anët. Pati premtime, por këta premtimet dhe lekët ua japin atyre që ua marrin prapë”, thotë Zguri.
Në fushën e Maliqit, edhe fermerët vijojnë të presin.
“Mua m’u dëmtuan 24 dynymë grurë. Plotësisht. Bënë të gjitha kartat, thanë do t’ju japim shpërblim, akoma edhe sot nuk na kanë dhënë. Në pritje jemi. Derisa janë këto të votimeve, kur vijnë votimet na japin ndonjë gjë, mbase edhe këtë herë”, thotë një fermer.
Emergjencat civile duhet të japin miratimin për pagesat, por zyrtarë të saj thonë se këta banorë nuk kualifikohen për dëmshpërblim.
Sipas tyre, edhe pse janë kryer të gjitha verifikimet ne terren do duhej që në kohën kur kanë ndodhur përmbyjet, Bashkia e Maliqit duhej të kishte shpallur emergjencen civile.
Thënë ndryshe, banorët nuk do të marrin asnjë lek.




