Politologu Ermal Hasimja ka treguar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Minuta e Parë” në News24 detaje nga ndalimi i tij për verifikim gjatë kontrollit të pasaportave në aeroportin e Rinasit.
Hasimja tha se gjithçka nisi kur një punonjëse e policisë i komunikoi se duhej të kryhej një verifikim shtesë dhe e shoqëroi në zyrën e shefit të policisë, pranë pikës së kontrollit të pasaportave.
Sipas tij, një oficer policie, të cilin nuk e identifikuan me emër, kreu verifikimet dhe i shpjegoi se procedura kishte lidhje me protestën, pasi mund të kishte persona me detyrim paraqitjeje për shkak të protestave, të cilët mund të tentonin të largoheshin nga vendi.
“Ky ishte shpjegimi dhe nuk kishte gjë shqetësuese. Nuk kam shkelur ndonjë ligj. Kjo ishte e gjitha”, u shpreh Hasimja.
Megjithatë, politologu theksoi se, pavarësisht se nuk pati probleme gjatë verifikimit, e konsideron shqetësuese këtë praktikë, duke e interpretuar si një formë presioni ndaj personave që kanë marrë pjesë në protesta.
“Mua më duket si presion, nuk kam shpjegim tjetër për t’i dhënë, presion ndaj personave që kanë qenë në protesta. Kam parë postime të ngjashme me rastin tim”, deklaroi Hasimja.
