Mbrojtja e Thaçit paralajmëron ankesë për dënimin 17-mujor dhe mosllogaritjen e paraburgimit

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do ta apeloj vendimin gjyqësor të 17 nëntorit 2026, në rastin e pengimit të drejtësisë.
Në dokumentin e dorëzuar më 23 nëntor 2026, avokatët e Thaçit rikujtojnë se gjykatësi i vetëm, Christopher Gosnell, e ka shpallur Thaçin fajtor për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, duke e dënuar me 17 muaj burgim.
Lidhur me këtë dënim, mbrojtja citon vendimin e gjykatësit, i cili deklaroi se “nuk konsideron që paraburgimi i z. Thaçi në bazë të dy urdhërarresteve të ndara mund të llogaritet drejt dy dënimeve të shqiptuara për dënime që lidhen me sjellje të palidhura mes vete” dhe vendosi që dënimi i Rastit 06 dhe ai i Rastit 12 “nuk do të vuhen njëkohësisht”.

Sipas ekipit ligjor, ky vendim e privon Thaçin nga lirimi prej kësaj akuze.
Në parashtrim thuhet: “Mbrojtja vëren se nëse z. Thaçi do t'i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi i urdhërarrestit për Rastin 12 [më 5 dhjetor 2024], dënimi i tij në Rastin 12 do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, njësoj siç u veprua me bashkë të akuzuarit Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Për këtë arsye, mbrojtja e udhëhequr nga avokatët Sophie Menegon dhe Luka Mishetiç bën të ditur hapat e radhës ligjorë.
“Rrjedhimisht, Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (‘Mbrojtja’) me këtë jep njoftim se ndërsa nuk ka ndërmend të dorëzojë parashtrime specifike për vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi sot, ajo rezervon të drejtën e saj për të apeluar Aktgjykimin Gjyqësor në përputhje me Nenin 46 të Ligjit, përfshirë gjetjet e tij mbi bashkimin e çdo dënimi të Rastit 12 me atë të shqiptuar në Rastin 06 dhe llogaritjen e kohës së vuajtur, para një Paneli të Dhomës së Gjykatës së Apelit në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga avokatja Sophie Menegon. /Telegrafi/

































