Kundërshtimet brenda Partisë Republikane ndaj vendimit të Nvidia-s për rikthimin e Jensen Huang në postin e drejtorit ekzekutiv po shtohen, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump i kishte minimizuar më herët reagimet kundër këtij vendimi nga anëtarët e partisë së tij.
Kryetarët e komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën dhe Çështjet e Jashtme, si dhe të Komitetit të Posaçëm për Kinën, kritikuan Nvidia-n në një deklaratë të përbashkët të hënën.
Republikanët Rick Crawford, Brian Mast dhe John Moolenaar deklaruan se “hetimi i shkurtër i brendshëm” i kompanisë dhe rikthimi i Huang në detyrë nuk i eliminojnë kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe as pikëpyetjet që kërkojnë përgjigje.
Edhe kongresmeni republikan nga Karolina e Veriut, Pat Harrigan, e cilësoi rikthimin e Huang si një “gabim”.
“Ne dërguam një sinjal se ndikimi financiar i një njeriu në ekonominë tonë ka më shumë peshë sesa rëndësia e qeverisjes së mirë, përgjegjësisë qytetare dhe respektimit të ligjit. Ky është një precedent i rrezikshëm, i cili besoj se do t’i kushtojë shtrenjtë vendit tonë në planin afatgjatë”, shkroi Harrigan në rrjetin social X.
Kritika të ngjashme pati edhe nga senatori republikan Kevin Cramer, nga Dakota e Veriut. Ai paralajmëroi për rreziqet ligjore dhe reputacionale që mund të përballet Nvidia duke rikthyer një drejtues që, sipas tij, mund të dënohet në SHBA ose në vende të tjera për shkelje të ligjeve mbi spiunazhin dhe kontrollin e eksporteve.
Cramer theksoi se, ndërsa përgjegjësia ligjore dhe reputacionale i takon bordit të Nvidia-s, rreziku për sigurinë kombëtare i kalon ushtrisë amerikane dhe qytetarëve të saj.
Ndërkohë, senatori John Curtis, nga Utah, vuri në pikëpyetje edhe informacionet që Nvidia tha se kishte marrë nga nivelet e larta të qeverisë amerikane, sipas të cilave rikthimi i Huang nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.
“Bordi i Nvidia-s thotë se është mbështetur te informacionet e zyrtarëve të lartë amerikanë për të arritur në përfundimin se rikthimi i Jensen Huang nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare. Kam disa pyetje: Kush në qeverinë tonë dha mendimin e tij? Çfarë i thanë bordit? Dhe mbi çfarë baze u arrit në përfundimin se nuk kishte rrezik?”, deklaroi Curtis.
Edhe senatori republikan Tom Cotton, nga Arkansas, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Kinës, kërkoi që Kongresi të zhvillojë hetime të mëtejshme.
“Polemika me Nvidia-n dhe Megaspeed është vetëm maja e ajsbergut dhe çështja nuk zgjidhet thjesht sepse Jensen Huang e mori sërish detyrën. Kongresi ka shumë për të hetuar dhe ne do të miratojmë projektligje dypartiake për kontrollin e eksporteve të çipave, përfshirë edhe projektligjin tim Chip Security Act”, shkroi Cotton.
Projektligji i tij parashikon vendosjen e një mekanizmi për verifikimin e vendndodhjes së çipave të avancuar, si dhe ngarkon Departamentin e Tregtisë të shqyrtojë mekanizma të tjerë të mundshëm për sigurinë e tyre.
Nga ana tjetër, prokurori i përgjithshëm Todd Blanche refuzoi të përgjigjej të hënën në mbrëmje, gjatë një interviste për Fox News, nëse Huang ishte verifikuar dhe ishte përjashtuar çdo shqetësim lidhur me sigurinë kombëtare apo shkeljet e mundshme ligjore përpara rikthimit të tij në detyrë.
CNN raportoi gjithashtu se disa republikanë të tjerë, mes tyre senatorët John Cornyn dhe Pete Ricketts, si dhe kongresmeni Don Bacon, kanë kritikuar ose kanë vënë në pikëpyetje vendimin për rikthimin e Huang.
Ndërkohë, Trump kishte minimizuar shqetësimet e ligjvënësve republikanë gjatë një interviste për CNBC të hënën, duke deklaruar: “Kur të flas me ta, do të jenë dakord”./ CNN













