Propozimi i qeverisë për krijimin e e Fondit Kombëtar për Artin nuk pati asnjë kundërshtim në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u mor sot në shqyrtim.
Nisma synon një instrument të ri, që do të mundësojë që shteti të blejë veprave të artit me vlera të veçanta kombëtare, të rikthejë në Shqipëri ato që kanë përfunduar jashtë vendit apo dhe të mirëmbajë dhe restaurojë koleksioneve publike në vend.
“Përmes këtij projektligji synohet që vepra me rëndësi për identitetin dhe kujtesën tonë kombëtare të mos mbeten jashtë mundësive të institucioneve publike për shkak të mungesës së një instrumenti të përshtatshëm financiar.”, tha zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa.
Fondi do të financohet kryesisht nga kursimet e krijuara prej prokurimeve publike, të verifikuara nga Ministria e Financave. Shuma e alokuar nuk mund të kalojë 10 për qind të këtyre kursimeve, ndërsa financimi konkret do të përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Parashikohen gjithashtu donacione, sponsorizime dhe grante.
Për përzgjedhjen e veprave do të ngrihet një komision me tre deri në shtatë ekspertë të artit, historisë, muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.
Deputeti Piro Dhima ngriti shqetësimin se si ligji do mund të parandalojë rrezikun e pastrimit të parave përmes tregut të artit dhe mbivlerësimin e veprave gjatë blerjeve.
“Veprat e artit mund të blihen ose përfitohen nga një individ dhe person fizik ose juridik, vendas ose i huaj. Duke pasur parasysh rrezikun që veprat e artit të përdoren për pastrimin e parave me origjinë kriminale, çfarë mekanizmash parashikohen për të kontrolluar, në rastin e veprave me vlera të konsiderueshme, burimin e ligjshmërisë së të ardhurave.”, tha deputeti Piro Dhima.
Sipas zëvendësministres projekti i propozuar e parashikon dhe mekanizmin që të shmangë situata të tilla.
“Duhet të ketë dokumente, certifikata pronësie shumë të qarta. Të gjitha propozimet për blerjen e këtyre veprave duhet të kualifikohen përmes dokumentacionit dhe certifikimit.”, tha Pipa.
Përmes këtij fondi synohet edhe krijimi i koleksioneve të reja, hapja e muzeve dhe ekspozimi i pasurive artistike në institucione të ndryshme, duke zgjeruar aksesin e publikut, edhe jashtë kryeqytetit.








Komente
Komento