Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur për situatën e skuadrës në prag të përballjes me Romën, e vlefshme për javën e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku spanjoll u ndal veçanërisht te dëmtimet e shumta që kanë prekur ekipin dhe mundësia që klubi të ndërhyjë në merkaton e transferimeve për të plotësuar boshllëqet në skuadër. Enrique bëri të qartë se PSG nuk ka ndërmend të afrojë futbollistë vetëm për të mbuluar mungesat për një periudhë të shkurtër.
“Është folur shumë për merkaton, por ne nuk jemi të detyruar të hyjmë në të. Nuk do të transferojmë një lojtar vetëm për gjashtë muaj, sepse kjo nuk është mënyra jonë e të vepruarit. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe duhet të jemi më të vëmendshëm. Nuk kemi frikë nga asgjë, as nga klubi kundërshtar, as nga lojtarët apo tifozët. Vazhdojmë të përqendrohemi te puna jonë. Më vjen keq për lojtarët që janë dëmtuar, por kjo duhet të shërbejë si motivim për të gjithë ekipin”, deklaroi trajneri.
Tekniku spanjoll u ndal sërish te vështirësitë e krijuara nga dëmtimet, duke vlerësuar aftësinë e skuadrës për t’u përshtatur me situata të tilla.
“Besoj se gjatë tre viteve të fundit kjo skuadër ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përballur me vështirësitë. Është një sfidë e bukur të vazhdojmë të evoluojmë dhe të gjejmë zgjidhje si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë teknik. Po kalojmë një periudhë të veçantë, por jemi ende të motivuar për të ngritur nivelin tonë.
Duhet t’i përballojmë këto situata normalisht, sepse dëmtimet janë pjesë e futbollit dhe çdo trajner apo skuadër përballet me to. Është e vërtetë që dëmtimet e rënda të pësuara nga Kvaratskhelia dhe Doi nuk janë të zakonshme, por edhe kjo duhet të na motivojë të zhvillohemi si ekip dhe të përqendrohemi te aspektet pozitive”, përfundoi trajneri i PSG.
