5 punonjës të OSHEE Shkodër janë vënë nën hetim për ambientin nëntokësor te Kanali i Drinit, pranë lumit në Gur të Zi, në fshatin Garunjë, ku kultivohej kanabis. Punonjësit, të moshave 42-65 vjeç, akuzohen për shpërdorim detyre.
Ditën e djeshme, policia arrestoi 10 punëtorë të ‘serës’ nëntokësore, burra e gra dhe sekuestroi 170 kilogramë kanabis, ndërsa asgjësoi 2 600 bimë.
Në pjesën e jashtme, ambienti duket si një magazinë e zakonshme. Policia mësyu dhe lëvizi një lavatriçe në hyrje, poshtë së cilës ndodhej një kapak që ‘çelte’ një tjetër ‘shteg’, i cili të shpinte drejt e në hapësirën nëntokësore.
Brenda, veç bimëve të mbjella të kanabisit dhe thasëve me pjesën tjetër të tyre, të tharë, mund të shiheshin drita të shumta LED e ventilatorë.
10 punonjësit vinin nga qytete të tjera dhe kishin pak ditë që kujdeseshin. Njëri është shpallur në kërkim.
Ndërsa ende nuk ka të dhëna se kush fshihet pas kësaj ‘shtëpie bari’, dyshimet janë të forta për një grup të organizuar që e ka financuar. Marrja në pyetje e të arrestuarve dhe mbledhja e të dhënave nga dhoma nëntokë, priten të jenë kyçe për ecurinë e hetimit.
Njoftimi i policisë:
DVP Shkodër / Vijojnë hetimet në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre 5 punonjës të OSHEE-së Shkodër.
Një ditë më parë, gjatë kontrolleve në dy objekte të nëndheshme, në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kg lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, gjatë të cilit në fshatin Ganjollë u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe për përpunimin e lëndës së dyshuar narkotike, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz, K. F., 42 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, L. H., 65 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, Gj. M., 53 vjeç, banues në fshatin Juban, dhe D. D., 43 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, të gjithë punonjës të OSHEE-së Shkodër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve hetimore për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.





Komente
Komento