Zbulimi i laboratorit të drogës në Shkodër, procedohen 5 punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre
Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve të operacionit të koduar “Labirinti”, gjatë të cilit u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike.
Një ditë më parë, gjatë kontrolleve në dy ambiente nëntokësore në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, policia gjeti dhe sekuestroi 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësoi 2 600 bimë narkotike dhe arrestoi 10 persona.
Në vijim të hetimeve, Policia e Shkodrës ka referuar materialet në Prokurori për pesë punonjës të OSHEE-së, të identifikuar me inicialet J. D., 43 vjeç, K. F., 42 vjeç, L. H., 65 vjeç, Gj. M., 53 vjeç dhe D. D., 43 vjeç.
Ata janë banorë të Fushë-Arrëzit dhe fshatrave Hot i Ri, Gur i Zi, Juban dhe Kosmaç.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve lidhur me veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.




