Aleksandar Vuçiç, tashmë në opozitë, po përdor fjalimet e gjata në Kuvendin e Serbisë, duke acaruar përfaqësuesit e Listës Studentore. Pasi zvarriti për tri ditë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit me diskutimet e tij të gjata, këtë të martë ish-presidentit serb i është fikur mikrofoni.
Debati nisi pas fjalimit të nënkryetares së Kuvendit, Sara Valentik, e cila më 19 nëntor kishte deklaruar se “mafia e SNS-së nuk ka të drejtë të flasë”.
Valentik u kërkoi falje deputetëve të partisë së Vuçiçit dhe qytetarëve që kishin votuar për të, duke sqaruar se nuk kishte pasur për qëllim t’i mohonte askujt të drejtën e fjalës.
Megjithatë, ajo tha se nuk ishte e drejtë që në Kuvend të uleshin njerëz që, sipas saj, i kishin shkaktuar dëme të pallogaritshme vendit gjatë 14 viteve të fundit. Valentik shtoi se kushdo që kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin do të mbante përgjegjësi.
Pas kësaj deklarate, Vuçiç, tashmë kryetar i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS), kërkoi fjalën, duke e cilësuar kërkimin e faljes si një “truk të ulët”.
Vuçiç mbrojti gjithashtu bilancin e qeverisjes së tij, duke përmendur rritjen e ekonomisë, pagave dhe pensioneve, si dhe ndërtimin e autostradave.
“Ai që e ka rritur prodhimin e brendshëm bruto nga 30 në 100 miliardë, që i ka rritur pagat më shumë se trefish, nga 329 në 1050 euro, që i ka rritur pensionet nga 202 në 520 euro, që ka ndërtuar më shumë kilometra autostrada dhe rrugë të shpejta sesa në 70 vitet e mëparshme, e ka ndërtuar vendin dhe ka bërë shumë gjëra të mira për të”, tha Vuçiç.
Ai akuzoi më tej Valentik se kishte kaluar një kohë të gjatë jashtë vendit dhe se nuk e njihte realitetin në Serbi.
“Serbia duket krejtësisht ndryshe, Serbia ka ndryshuar pamje, Serbia sot është pakrahasimisht më e pasur”, deklaroi ish-presidenti.
Gjatë fjalimit, Çupiç i bëri disa herë me shenjë Vuçiçit drejt orës, duke i treguar se koha e tij prej 2 minutash kishte përfunduar. Pasi e lejoi të mbaronte fjalinë, kryetari i Kuvendit i fiku mikrofonin. Vuçiç iu përgjigj duke duartrokitur.
“Ju tregova kohën, ju tregova kohën. Një paralajmërim për të gjithë deputetët: kur të përfundojnë dy minutat, unë ju tregoj kohën, mund ta përfundoni fjalinë, më pas ia fik mikrofonin folësit”, tha Çupiç.
Gjatë së njëjtës seancë, kryetari i ri i Kuvendit i tërhoqi vëmendjen edhe ish-kryeministres dhe ish-kryetares së parlamentit, Ana Bërnabiç, tashmë deputete e SNS-së, pasi ajo foli pa iu dhënë fjala.










Komente
Komento