Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në kuadër të hetimeve për zbulimin e një ambienti nëntokësor të përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike në fshatin Ganjollë.
Hetimet janë pjesë e operacionit të koduar “Labirinti”, gjatë të cilit Policia zbuloi dy ambiente të nëndheshme në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa asgjësuan 2 600 bimë narkotike. Në kuadër të operacionit u arrestuan gjithashtu 10 persona.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria nisi procedimin penal për pesë punonjësit e OSHEE-së. Ata janë banorë të zonave të ndryshme të Shkodrës dhe Fushë-Arrëzit. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Njoftimi i plotë i policisë:
DVP Shkodër / Vijojnë hetimet në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre 5 punonjës të OSHEE-së Shkodër.
Një ditë më parë, gjatë kontrolleve në dy objekte të nëndheshme, në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kg lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, gjatë të cilit në fshatin Ganjollë u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe për përpunimin e lëndës së dyshuar narkotike, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz, K. F., 42 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, L. H., 65 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, Gj. M., 53 vjeç, banues në fshatin Juban, dhe D. D., 43 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, të gjithë punonjës të OSHEE-së Shkodër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve hetimore për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”
