Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka konstatuar diskriminim të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektorial ndaj 52-vjeçarit Artan Andoni nga Spitali Rajonal Durrës, pasi ky i fundit u la në një hapësirë publike pas daljes nga spitali, pa iu siguruar strehim dhe vijimësi e kujdesit shëndetësor. Andoni i cili ishte i pastrehë më pas ndërroi jetë.
Sipas vendimit të KMD-së, Artan Andoni, i cili kishte marrë më parë trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe më pas ishte shtruar në Spitalin Rajonal Durrës, u nxor nga spitali pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore dhe mungesës së një zgjidhjeje të sigurt për strehimin dhe kujdesin e mëtejshëm.
KMD thotë se hetimi ka zbuluar se gjatë komunikimeve publike të spitalit ishin bërë publike të dhëna konfidenciale mbi gjendjen shëndetësore të 52-vjeçarit. KMD i ka kërkuar Spitalit Rajonal Durrës që brenda tre muajve të rishikojë procedurat e daljes për pacientët pa strehë, pa mbështetje familjare apo që nuk mund të kujdesen për veten.
Theksojmë se fund të korrikut pas përfundimit të kurës pacientit iu përgatit dokumentacioni për daljen nga spitali. Sipas spitalit të Durrësit, askush nuk u paraqit për ta marrë. Autoritetet spitalore njoftuan vëllanë e tij dhe shërbimin social, ndërsa më pas ai u transportua me autoambulancë në Portin e Peshkimit, ku, sipas spitalit, pritej të merrej nga familjarët, pasi kishte punuar më parë në atë zonë. Megjithatë, askush nuk u paraqit për ta marrë dhe gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.
Peshkatarët njoftuan shërbimin e urgjencës, ndërsa autoambulanca e riktheu pacientin në Spitalin Rajonal të Durrësit. 52-vjeçari u gjet tek porti i peshkimit, në gjendje të rënduar dhe u rikthye në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale në këmbë. Ai njihej në Durrës si endacak dhe prej vitesh ishte përdorues i lëndëve narkotike, si heroinë e kokainë. Gjithashtu është bartës i virusit HIV, por jo i sëmurë me SIDA.
Njoftimi i plotë:
Një pacient u la në një hapësirë publike pas daljes nga Spitali Rajonal Durrës, pa iu siguruar një vend i sigurt ku të qëndronte dhe pa iu garantuar vijimësia e kujdesit. Hetimi, i nisur nga KMD pas raportimeve në media, konstatoi gjithashtu se gjatë komunikimeve publike të spitalit u zbuluan të dhëna konfidenciale për shëndetin e pacientit.
Me vendimin nr. 298, datë 10.11.2026, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminim në formë të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektoriale nga Spitali Rajonal Durrës. KMD konstatoi diskriminim edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në aksesin në shërbimet e kujdesit shoqëror. Mungesa e shërbimeve të përshtatshme e la pacientin pa një mundësi strehimi pas daljes nga spitali.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Brenda 3 muajve, Spitali Rajonal Durrës duhet të rishikojë procedurën e daljes për pacientët pa strehë, pa mbështetje familjare ose që nuk mund të kujdesen për veten. Dalja duhet të bëhet pas vlerësimit klinik dhe social, në bashkëpunim me shërbimet sociale dhe pasi të jetë siguruar një vend i përshtatshëm ku pacienti mund të qëndrojë. Spitali duhet gjithashtu të mbrojë konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe të trajnojë personelin për mosdiskriminimin.
Brenda 6 muajve, Ministria duhet të marrë masa për miratimin e një protokolli që përcakton si bashkëpunojnë institucionet për referimin dhe daljen e sigurt nga spitali. Ajo duhet të marrë masa edhe për të siguruar shërbime publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga drogat.
Për të parandaluar raste të ngjashme, KMD rekomandoi shtrirjen e standardit të daljes së sigurt në të gjitha spitalet publike dhe u drejtoi rekomandime të posaçme institucioneve përgjegjëse për kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale dhe reagimin në raste urgjente.
Institucionet duhet ta informojnë KMD-në për masat e marra ose të planifikuara brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin.
-
Kjo o komisioner është fytyra e distemit.Ku ishe më përpara ngjaries?Je si kofini pss të bjelabe.Turp jep dorëheqie .
Përgjigju -
Spitali e ka bere punen e tij duhet te ishin sherbimet sociale e bashkia qe duhej te merrte masa per strehimin e tij,oastaj ai person me vjen keq qe i ka ndodh kjo,por ai nuk ka dash veten duke u bere perdorues i lendeve narkotike,mis i rente per pjese nje familje kjo gje
Përgjigju








Komente
Komento