Senegali është rikthyer zyrtarisht si kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON), pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka vendosur në favor të tij, duke rrëzuar vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF).

Senegali e kishte mposhtur Marokun me rezultat 1-0 në finalen kaotike të zhvilluar në janar, por dy muaj më vonë, një komision i apelit i CAF-it e kishte përmbysur rezultatin, duke ia regjistruar Marokut fitoren me rezultat zyrtar 3-0.


Federata e Senegalit e kishte apeluar këtë vendim dhe të martën, CAS publikoi verdiktin e panelit prej tre gjyqtarësh, duke ia rikthyer kështu Senegalit titullin e kampionit.

Finalja e zhvilluar në Rabat ishte shoqëruar me tensione të mëdha. Senegali kishte ndërprerë lojën për 15 minuta në shenjë proteste, pasi gjyqtari akordoi penallti për Marokun në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Sulmuesi i njohur Sadio Mane luajti rol të rëndësishëm për ta bindur skuadrën që të rikthehej në fushë, në një moment kur tensionet në stadium ishin rritur ndjeshëm.

Pas rifillimit të ndeshjes, Brahim Diaz mori përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë, por portieri senegalez e priti goditjen e tij. Në vazhdime, Pape Gueye shënoi golin që i siguroi Senegalit fitoren 1-0.

Edhe pse rregullat e futbollit përcaktojnë se vendimet e gjyqtarit janë përfundimtare, gjyqtarët e apelit të CAF-it ishin mbështetur në rregulloren e posaçme të turneut. Aty parashihet se nëse një skuadër refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të rregullt të ndeshjes pa lejen e gjyqtarit, ajo konsiderohet humbëse dhe përjashtohet nga gara.

Megjithatë, CAS e ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të CAF-it pas shqyrtimit të dëshmive në një seancë dëgjimore njëditore.

Vendimet e CAS-it mund të kundërshtohen në Gjykatën Supreme të Zvicrës, por vetëm për arsye të kufizuara procedurale./Telegrafi/