Demokratët janë drejt fundit të përzgjedhjes së kandidaturave për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027. Teksa një pjesë e degëve kanë përfunduar procesin, në disa të tjera duket se beteja do të jetë më e fortë. Kryesia e Fushë-Arrëzit nuk është plotësisht dakord me udhëzimin e Sali Berishës, por i tregon statutin dhe kërkojnë që kandidati të dalë nga primaret.
“Nga takimet ka dalë në pah një qëndrim i qartë i anëtarësisë: Pjesa dërrmuese e propozimeve në të gjitha njësitë administrative është për Hil Currin. Përtej emrave të propozuar, një tjetër mesazh i rëndësishëm dhe i përbashkët ka ardhur nga anëtarësia e PD-së në të gjitha njësitë administrative: kërkesa këmbëngulëse që kandidati për Kryetar të Bashkisë Pukë të përzgjidhet përmes procesit të primareve, me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e PD-së dhe rregullat përkatëse të këtij procesi”.
A2CNN kontaktoi edhe me kreun aktual të bashkisë Fushë-Arrëz, e cila me reformën e re administrative shkrihet dhe bashkohet me Pukën. Hil Curri pohoi se i qëndron vendimit të degës dhe kërkon që primaret të zhvillohen jo vetëm në territorin e bashkisë së tij, por edhe në bashkinë aktuale të Pukës. Nga ana tjetër kreu i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj tha se kandidati duhet të zgjidhet sipas udhëzimit, duke ia lënë në dorë Kryesisë. “I qëndroj udhëzimit të ardhur nga Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë. Udhëzimi është i qartë për mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave”.
