Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në kuadër të hetimeve të operacionit policor “Labirinti”, ku një ditë më parë u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e kanabisit dhe përpunimin e lëndës narkotike në fshatin Ganjollë.

Sipas njoftimit të Policisë, të proceduarit janë J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz; K. F., 42 vjeç, banues në Hot të Ri; L. H., 65 vjeç, banues në Gur të Zi; Gj. M., 53 vjeç, banues në Juban; dhe D. D., 43 vjeç, banues në Kosmaç. Të pesë janë punonjës të OSHEE-së Shkodër.

Materialet procedurale ndaj tyre i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë në dy ambiente nëntokësore, në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, policia zbuloi dhe sekuestroi 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësoi 2 600 bimë narkotike dhe arrestoi 10 persona.

Sipas hetimeve paraprake, ambientet ishin përshtatur posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike dhe përpunimin e lëndës së dyshuar si kanabis.

Policia bën me dije se hetimet për operacionin “Labirinti” vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb