Nga Elton Qyno Syri.net/
Dokumentet e mbërritura nga prokuroria e Durrësit në SPAK, tregojnë se dy çifte bashkëshortësh, hedhin akuza ndaj njëri-tjetrit për zhdukjen pa adresë të 3 miliard e 600 milion lekëve.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se emrat e çiftit Budini, deputetes së PS Etleva dhe burrit të saj drejtor policie në kufirin e Tiranës, Boge Budini, kanë dalë nga dëshmia e dhënë në prokurori nga çifti i bashkëshortëve Elisabeta dhe Fetah Mataj.
Këta të fundit kanë deklaruar se vjedhja e parave nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur postën Shqiptare dega Durrës, e ka drejtuar Elisabeta Mataj, por një gjë e tillë ka ndodhur gjatë kohës kur posta është drejtuar nga Etleva Budini.
Sipas dëshmisë që ish-drejtoresha Elisabeta Mataj ka treguar, e cila tashmë është në dosjen e SPAK, vjedhja dhe mungesa e parave është bërë përgjatë një kohe të gjatë dhe në periudhën kur postën e Drejtonte, Etleva Budini.
Sipas saj, menjëherë sapo ka marrë dijeni për një mungesë të madhe lekësh, ajo në cilësinë e drejtueses është përpjekur të marrë masa konkrete, me qëllim evidentimin e problematikave.
Një ndër masat e mara, ka qenë depozitimi në prokurori të një kallëzimi penal, me shpresën e gjetjes së abuzuesve.
Por shumë shpejt Elisabet Mataj dhe dy zyrtare të tjera së bashku me bashkëshortin e saj, Fetah Mataj, do e gjenin veten në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Arrest në burg”, pasi akuzohen për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes për marrjen e pasurisë”.
Pritet që në ditët në vijim SPAK, të marrë dhe dëshminë e Etleva Budinit, përfshirë rrëfimin e bashkëshortit të saj, Boge Budini dhe zyrtarëve të tjerë, për të mësuar lidhur me pretendimet që ka dhënë në prokurori dhe gjykatë Elisabeta Mataj dhe bashkëshorti i saj, Fetah Mataj.
Vjedhja 713 milion lekëve të vjetra nga Thesari i Bankës së Shqipëri në vitin 2014, nuk është asgjë me atë çfarë ka ndodhur me dëmin ekonomik të shkaktuar në Postën Shqiptare në Durrës.
Një zinxhir punonjësish dhe ish-punonjësish që kanë shërbyer pranë Drejtorisë së Postës Durrës, rezulton të jenë vënë në hetim nga SPAK, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të marrin në periudha të ndryshme shumën prej 3 miliard e 600 milion lekë të vjetra.
Në 2014 për vjedhjen e Thesarit të Bankës së Shqipërisë u akuzuan 3 punonjësit Ardian Bitraj, Kleves Bejtja dhe Mimoza Bruzia, duke i lënë një faturë financiare të dëmit, prej 713 mln lekë të vjetra.
Ndërsa për rastin e zhdukjes së 3 miliard e 600 milion lekë të vjetra nga Posta e Shqipërisë, SPAK tashmë ka nisur hetime ndaj kryefinancieres Valbona Duni, Paola Dana, ish-drejtoreshës së postës Elisabeta Mataj, burrit të saj Fetah Mataj, ish-drejtoreshës sot deputete e PS, Etleva Budini dhe bashkëshortit të saj, Boge Budini, ku i fundit efektiv policie me detyrë, Drejtor i Kufirit në Tiranë.
Ndaj zyrtarëve të postës së Durrësit, rëndojnë akuza të rënda e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” në vlerën 3 miliard e 600 milion lekë të vjetra kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërsa ndaj Fetah Mataj, deri në këtë fazë është ngritur akuza e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marjen e pasurisë”, pasi u kishte vendosur gjoba financiare çdo muaj nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të vjetra çdo drejtuesi dege të Postës së Shqipërisë në qarkun e Durrësit.
Të ndodhur në këto kushte shumë filiale postare në Durrës, Krujë, Fushë-Krujë, Shijak dhe zonat rurale të këtij qarku, çdo muaj mblidhnin 1 milion lekë të vjetra dhe ja dorëzonin çdo datë 5 të muajit, Fetah Metaj.
Por një mesazh në aplikacionin “Whats App” i gjetur nga prokuroria e Durrësit në aparatin e sekuestruar punonjëses së postës Valbona Duni, solli zbulimin e kësaj skeme, dhe paralelisht me akuzën e “Vjedhjes duke Shpërdoruar detyrën” u hap dhe një hetim tjetër penal kundër Fetah Mataj, ndaj të cilit u lëshua masa e “Arrestit në burg” për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrjen e pasurisë”.
Mesazhi tashmë ndodhet në dosjen e SPAK e cila mbërriti në këtë prokurori nga prokuroria e Durrësit.
Sipas asaj që relatohet në dosje, mesazhi është dërguar në 8 Korrik 2026 nga një punonjëse filiali poste me emrin Afërdita tek zyrtarja e postës qendrore në Durrës, Valbona Duni, që mbante detyrën e shefes së Financës.
Afërdita i shkruan Valbona Dunit duke i thënë se: “…Erdhi ai, i mori ato…”. Ndërsa shefja e financës Valbona Duni ia kthen përgjigjen përmes një teksti: “…Mos i hëngërt, ishalla...!”.
© SYRI.net