5 libra të famshëm të shkruar nën ndikimin e drogës

5 libra të famshëm të shkruar nën ndikimin e drogës

15:10, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mund të duket se përdorimi i drogës nuk ndihmon në krijimin e një vepre të mirë letrare, por disa romane të famshme dëshmojnë të kundërtën. Nga halucinogjenët te stimuluesit, disa shkrimtarë kanë krijuar vepra të njohura ndërsa ishin nën ndikimin e substancave. Ja pesë prej tyre.

1. Misteri i dr. Xhekillit dhe z. Haid (1886)  Robert Louis Stevenson

Image

Robert Louis Stevenson vuante nga probleme kronike të mushkërive dhe përdorte substanca për të lehtësuar simptomat. Në vitin 1885, ai konsumonte kokainë dhe ergotinë, një substancë me efekte halucinogjene. Një natë, ndërsa ishte në gjumë dhe nën ndikimin e tyre, bashkëshortja e zgjoi nga një makth. “Pse më zgjove? Po ëndërroja një histori të mrekullueshme horror”, i tha ai.

Kjo ëndërr frymëzoi Misteri i dr. Xhekillit dhe z. Haid. Stevenson shkroi draftin e parë brenda tri ditësh, por e dogji, pasi alegoria nuk i dukej mjaftueshëm e fortë. Më pas, brenda tri ditësh të tjera, e rishkroi novelën që do të bëhej një klasik i letërsisë horror.

2. Në rrugë (1957)  Jack Kerouac

Image

Legjenda letrare thotë se Jack Kerouac shkroi draftin e parë të romanit Në rrugë në një rrotull letre 36 metra të gjatë, brenda tri javësh, nën ndikimin e amfetaminave, veçanërisht Benzedrinës.

Megjithatë, ideja e romanit kishte lindur që në vitin 1948. Kerouac kishte shkruar disa variante, por nuk gjente stilin e duhur. Në fund të vitit 1950, një letër e gjatë dhe spontane nga miku i tij Neal Cassady, që frymëzoi personazhin Dean Moriarty, i dha idenë e stilit të rrëfimit. Kerouac e quajti atë “prozë spontane” dhe, me shënimet e përgatitura dhe nën ndikimin e Benzedrinës, shkroi romanin në një rrotull të madhe letre.

3. Cujo (1981)  Stephen King

Image

Stephen King ka pranuar se ishte përdorues i rëndë i kokainës nga viti 1978 deri më 1986 dhe se shpesh shkruante nën ndikimin e saj dhe alkoolit. Disa prej librave të tij të njohur, përfshirë Cujo, Pet Sematary dhe IT, u shkruan gjatë kësaj periudhe.

Në kujtimet e tij On Writing, King pranoi se mezi e kujtonte shkrimin e Cujo, duke e përshkruar këtë si një ndjesi trishtimi dhe humbjeje. Ai më vonë deklaroi se përdorimi i drogës filloi të ndikonte negativisht në cilësinë e veprave të tij.

4. Fluturimi mbi folenë e qyqes (1962) Ken Kesey

Image

Në vitin 1959, Ken Kesey, student në Universitetin Stanford, mori pjesë vullnetarisht në një program kërkimor të CIA-s, MK-Ultra, ku pjesëmarrësit testoheshin me substanca psikoaktive, përfshirë LSD-në, psilocibinën dhe meskalinën.

Përvoja në pavijonin psikiatrik, ku vëzhgonte pacientët dhe personelin, e frymëzoi të vinte në pikëpyetje kufirin mes normalitetit dhe çrregullimit. Kjo përvojë, së bashku me punën e tij në një pavijon psikiatrik, ndikoi në krijimin e romanit Fluturimi mbi folenë e qyqes. Tri faqet e para të librit u shkruan nën ndikimin e peyote-s.

5. A ëndërrojnë androidët për dele elektrike? (1968) Philip K. Dick

Image

Philip K. Dick deklaroi në një intervistë të vitit 1975 se pothuajse të gjithë romanet e tij, deri te A Scanner Darkly (1977), i kishte shkruar nën ndikimin e amfetaminave. Kjo përfshin edhe A ëndërrojnë androidët për dele elektrike?, romanin që frymëzoi filmin Blade Runner.

Dick besonte se amfetaminat kishin ndikuar drejtpërdrejt në shpejtësinë dhe produktivitetin e tij në shkrim. Gjatë viteve 1960, ai përdori gjithashtu meskalinë, marihuanë, LSD dhe PCP. Mjeku e paralajmëroi për rrezikun e dëmtimit të mëlçisë, dhe shkrimtari më vonë arriti ta ndërpriste përdorimin e tyre, megjithëse kishte pësuar dëmtime të përhershme në pankreas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco