National Geographic ndjek rrjedhën e Vjosës, lumi i egër që i jep jetë ekonomisë lokale
Në një Europë ku pjesa më e madhe e lumenjve është transformuar nga ndërhyrja e njeriut, Vjosa mbetet një përjashtim. Karakteri i saj i egër, peizazhi që ndryshon vazhdimisht dhe mënyra se si komunitetet lokale kanë ndërtuar ekonominë e tyre përgjatë lumit janë në qendër të një produksioni të ri të National Geographic, që sjell në vëmendjen ndërkombëtare një dimension tjetër të ofertës turistike shqiptare.
Filmi, i publikuar më 16 nëntor 2026 në kanalin zyrtar të National Geographic në YouTube, mban titullin “The Vjosa: Exploring One of Europe’s Last Wild Rivers” (Vjosa: Në eksplorim të një prej lumenjve të fundit të egër të Europës).
Eksploruesi dhe fotografi Nick St. Oegger ndjek rrjedhën e Vjosës nga malet deri në Adriatik, duke zbuluar marrëdhënien mes një ekosistemi të rrallë natyror dhe komuniteteve që jetojnë përgjatë tij.
Në hyrje të Grykës së Këlcyrës, eksploruesi takon Zamo Spatharën, themeluesin e Albania Rafting Group, dhe Almën, të cilët e shoqërojnë në një udhëtim nëpër ujërat e vrullshme të lumit. Përvoja ilustron një nga karakteristikat që e bën Vjosën të veçantë për turizmin e aventurës: dinamikën e paparashikueshme të rrjedhës së saj natyrore.
Kur Spathara përshkoi për herë të parë Vjosën me gomone në vitin 2000, raftingu ishte ende një aktivitet i panjohur për banorët e zonës. Sot, ai është president i Federatës Shqiptare të Raftingut, e cila çdo vit trajnon dhjetëra të rinj për aktivitete të turizmit të aventurës.
Sipas Albania Rafting Group, aktivitetet e raftingut dhe kajakut në Vjosë gjenerojnë të ardhura për rreth 400 familje vendase. Përfitimet ekonomike shtrihen përtej operatorëve të turizmit, duke përfshirë guidat, transportuesit, bujtinat, restorantet, artizanët dhe prodhuesit lokalë. Për Përmetin dhe Këlcyrën, ruajtja e rrjedhës së lirë të lumit ka marrë kështu edhe një dimension ekonomik.
Reportazhi i National Geographic nuk kufizohet te turizmi i aventurës. Një vend të veçantë zënë mjeshtëritë tradicionale, nga prodhimi artizanal i fuçive prej druri te qëndisjet e punuara me dorë, ndërsa udhëtimi drejt deltës së Vjosës evidenton pasurinë e biodiversitetit.
Publikimi ndërkombëtar vjen në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të diversifikojë ofertën turistike përtej modelit tradicional të diellit dhe detit. Vjosa prezanton një kombinim të turizmit të natyrës, aventurës dhe trashëgimisë kulturore, ku zhvillimi i ekonomisë lokale është i lidhur ngushtë me ruajtjen e burimeve natyrore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









