Bella Hadid rrëfen se u paragjykua për trupin në moshën 17-vjeçare: Më thanë se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent
Modelja e njohur, Bella Hadid, ka treguar se në moshën vetëm 17-vjeçare ishte përballur me komente paragjykuese për trupin e saj, pasi një stiliste i kishte thënë se ishte “shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent” dhe se duhej të humbiste disa kilogramë.
Modelja, tashmë 30-vjeçare, e cila sot është një nga fytyrat e markës së njohur Saint Laurent, ka kujtuar këtë përvojë gjatë një interviste për revistën Harper’s Bazaar, duke folur për fillimet e saj në industrinë e modës.
Ajo tregoi se komenti ishte bërë gjatë një takimi të parë me një stiliste, pak kohë pasi kishte përfunduar shkollën e mesme.

“Kur isha 17 vjeçe dhe shkova në takimin tim të parë me një stiliste, të cilën nuk do ta përmend me emër, në thelb më tha se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent dhe se duhej të humbisja disa kilogramë”, kujtoi Bella.
Ajo shtoi se, 12 vjet më vonë, jo vetëm që është bërë fytyra e Saint Laurent, por edhe e Pradas, duke e cilësuar këtë arritje si diçka të jashtëzakonshme.
Hadid theksoi se industria e modës ka ndryshuar shumë ndër vite dhe se njerëzit që kanë kontribuar për ta bërë atë një ambient më të shëndetshëm për modelet janë tejet të rëndësishëm.
Megjithatë, pranoi se në atë periudhë kishte kaluar tashmë vështirësi të shumta me raportin ndaj trupit të saj.

Sipas saj, në kohën kur mori atë koment, kishte filluar ta shihte ushqimin ndryshe dhe të krijonte një marrëdhënie më të shëndetshme me trupin.
“E dua trupin tim dhe është në rregull nëse ti mendon se nuk dukem ashtu siç duhet sipas pritshmërive të tua”, u shpreh modelja.
Bella, e cila hapi sfilatën e Victoria’s Secret për vitin 2026 muajin e kaluar, foli edhe për presionin që përjetojnë personazhet publike kur fotografohen vazhdimisht.
Ajo kërkoi më shumë mirëkuptim ndaj ndryshimeve fizike, duke theksuar se trupi i një gruaje mund të ndryshojë nga dita në ditë për shkak të hormoneve dhe problemeve me sistemin imunitar.

Modelja ka folur edhe më parë për vështirësitë e saj gjatë adoleshencës, përfshirë ankthin kronik, çrregullimet e të ushqyerit dhe problemet me imazhin trupor.
Në një intervistë për revistën i-D në vitin 2022, tregoi se kishte qarë pothuajse çdo ditë dhe se për një kohë të gjatë nuk e kishte kuptuar se çfarë po përjetonte.
Terapia e ndihmoi të kuptonte më mirë gjendjen dhe të përballej me vështirësitë që e kishin shoqëruar gjatë viteve të adoleshencës. /Telegrafi/






































