Komisioni i Ekonomisë ka miratuar në tërësi projektbuxhetin e vitit 2027, vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër, duke argumentuar se dokumenti nuk mbështet sektorët prioritarë dhe familjet shqiptare.
Buxheti parashikon shpenzime në total prej 976 miliardë lekësh dhe të ardhura prej 907 miliardë lekësh. Dokumenti pritet të votohet përfundimisht në seancën plenare të Kuvendit të enjten, më 26 nëntor.
Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ekonomisë, pa ndryshuar tavanet e përgjithshme të shpenzimeve dhe të ardhurave, u miratuan kërkesat e komisioneve të tjera parlamentare për shtimin e fondeve për shtatë institucione, kryesisht në sistemin e drejtësisë.
Në total, fondet shtesë arrijnë rreth 1,3 miliardë lekë, ndërsa parashikohet edhe shtimi i 122 punonjësve buxhetorë në sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore.
Propozimi i opozitës për shtimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë u rrëzua.
Për vitin 2027, qeveria ka planifikuar 202 miliardë lekë investime publike, me fokus në projekte rrugore, hekurudhore dhe portuale.
Për pensionistët janë parashikuar 24 miliardë lekë, përmes dyfishimit të bonuseve dhe indeksimit të pensioneve në muajin prill. Gjithashtu, për herë të parë do të financohet skema e re e mbështetjes për bebet, me pagesa që do të vijojnë deri në moshën 5-vjeçare.
Institucionet me buxhetet më të larta për vitin e ardhshëm janë Ministria e Shëndetësisë me 89,7 miliardë lekë, Ministria e Mbrojtjes me 76,6 miliardë lekë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 75,45 miliardë lekë. Ministria e Arsimit do të ketë afro 68 miliardë lekë.
Ndër ndryshimet e miratuara në Komisionin e Ekonomisë janë:
- Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ): 459 milionë lekë shtesë dhe 95 punonjës.
- Prokuroria e Përgjithshme: 2 punonjës shtesë.
- Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD): 125,5 milionë lekë shtesë.
- Kuvendi: 100 milionë lekë shtesë.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ): 34 milionë lekë shtesë.
- Komisioni i Prokurimit Publik (KPP): 40 milionë lekë shtesë dhe 5 punonjës.
- Autoriteti i Konkurrencës: 10 milionë lekë shtesë dhe 5 punonjës.
- INSTAT: 70 milionë lekë shtesë.
- Ministria e Administratës Publike: 15 punonjës shtesë.
- Ministria e Mbrojtjes: vetëm rialokime buxhetore.
- Ministria e Turizmit: vetëm rialokime buxhetore.
- Garda: 450 milionë lekë shtesë për pagat.
Projektbuxheti i vitit 2027 do të kalojë për votim përfundimtar në Kuvend në seancën plenare të 26 nëntorit.