Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin për Festim Bexhdilin, i njohur si kopshtari i kompleksit “Golden”, të Altin Hajrit në Shijak, i akuzuar për përfshirjen në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Sipas TCH, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Genti Shala ka vendosur nga burgimi i përjetshëm, dënimin me 25 vite burg për Bexhdilin.
Më herët, Festim Bexhdili ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, vendim që ishte lënë në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm më 25 korrik 2025.
Bexhdili ishte kopshtar në kompleksin “Golden” në Shijak, ku dyshohet se Jan Prenga u mbajt peng, u torturua dhe më pas u vra. Ai u shpall fajtor për disa vepra penale, mes tyre rrëmbimi ose mbajtja peng e personit kur ka sjellë si pasojë vdekjen, fshehja ose asgjësimi i kufomës dhe pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal.
Jan Prenga u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Sipas hetimeve, ngjarja lidhej me një konflikt për një sasi prej 260 kilogramësh kokainë të zhdukur në Angli.
Gjykata e Lartë kishte kthyer më parë çështjen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm, me një tjetër trup gjykues, përpara se të merrej vendimi i ri për dënimin e Bexhdilit.












