Shqipëria dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, me fokus modernizimin e QSUT-së dhe zhvillimin e një modeli të integruar të kujdesit onkologjik. Gjatë vizitës në Milano, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me Policlinico di Milano, ndërsa me drejtuesit e Institutit Kombëtar të Tumoreve dakordësoi planin e përbashkët për funksionimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, nga janari i vitit 2027.
Memorandumi me Policlinico di Milano krijon një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi institucional, me fokus transferimin e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, përmirësimin e cilësisë klinike, kërkimin shkencor dhe adoptimin e praktikave bashkëkohore në organizimin dhe menaxhimin e shërbimeve spitalore.
“Investim te profesionistët tanë, transferimi i ekspertizës, zhvillimi i kapaciteteve teknologjike, kërkim shkencor dhe adoptimi i standardeve bashkëkohore janë pjesë e një vizioni që synon të transformojë Qendrën Spitalore Universitare në një qendër universitare moderne, me kapacitet më të avancuar dhe shërbime më cilësore për pacientët”, u shpreh ministrja Spahiu.
Një element thelbësor i Memorandumit është programi pilot 12-mujor, për të cilin propozohen si fusha prioritare Mjekësia Nukleare dhe Radiologjia, me fokus në PET/CT, imazherinë diagnostike, radiologjinë intervenuese dhe standardizimin e protokolleve klinike.
Bashkëpunimi parashikon gjithashtu programe të specializuara trajnimi dhe mentorimi për profesionistët shëndetësorë, konsulta multidisiplinare për rastet komplekse, forcimin e mekanizmave të sigurisë së pacientit dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore. Rezultatet e programit pilot do të vlerësohen në përfundim të periudhës 12-mujore, për të përcaktuar zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera prioritare.
Në takimin me drejtuesit e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, ministrja Spahiu u ndal në organizimin dhe funksionimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, si një strukturë që do të integrojë diagnostikimin, trajtimin, kërkimin shkencor dhe koordinimin e kujdesit onkologjik në nivel kombëtar.
“Ne synojmë një sistem ku pacienti të mos përballet me shërbimet e fragmentuara, por të ketë një rrugëtim të koordinuar me cilësi, siguri dhe standarde bashkëkohore. Sepse çdo bashkëpunim ndërkombëtar, çdo investim dhe çdo reformë në shëndetësi duhet të përkthehet në një rezultat konkret: shërbime më të mira dhe më shumë kujdes për qytetarët”, theksoi ministrja Spahiu.
Transferimi i ekspertizës italiane dhe zhvillimi i kapaciteteve të qëndrueshme brenda sistemit shëndetësor shqiptar synojnë të krijojnë përfitime të drejtpërdrejta për pacientët, përmes diagnostikimit më të avancuar, zgjerimit të mundësive të trajtimit dhe ofrimit të një kujdesi shëndetësor më të sigurt, të koordinuar dhe sipas standardeve ndërkombëtare.









Komente
Komento