Me mbi 10 miliardë euro shpenzime, buxheti më i madh që ka pasur deri më sot Shqipëria, sipas qeverisë, shkon të enjten për votim përfundimtar në Kuvend. Por sa u përgjigjet ky buxhet nevojave të qytetarëve, a mbështet sektorët e duhur të ekonomisë dhe a mjaftojnë fondet e parashikuara për pensionistët?
Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli e cilësoi projektbuxhetin si më socialin e 35 viteve të fundit, ndërsa deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi se do të votojë kundër.
Analisti Alban Daci, nga ana tjetër, kërkoi një reformë të thellë të pensioneve dhe një model të ri ekonomik për vendin.
Sipas Muçit, pesha që zënë sektorët e ndryshëm në buxhet nuk ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit. Deputeti argumentoi se qeveria duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi arsimit, shëndetësisë dhe industrisë prodhuese, në vend që të favorizojë hotelerinë dhe investitorët strategjikë.
“Në buxhetin aktual evidentohet qartazi pesha që i vendoset çdo sektori, që nga arsimi te shëndetësia, bujqësia etj. Është e njëjta përqindje në 10-vjeçarin e fundit dhe luhatet me 0,1% sa u përket zërave të alokuar. I duhet kushtuar më tepër rëndësi arsimit, shëndetësisë, industrisë prodhuese dhe jo avantazhit të përhershëm që kjo qeveri i bën hotelerisë dhe investitorëve strategjikë. Është një sektor spekulativ. Unë, si përfaqësues i Lëvizjes Bashkë, do të votoj kundër”, tha Muçi.
Deputeti u ndal edhe te skema e pensioneve, duke ngritur si shqetësim numrin e ulët të kontribuuesve në raport me pensionistët.
“Shpërndarja është e padrejtë dhe e paarsyeshme dhe avantazhon oligarkinë. Duhet të ketë një reformë më të thellë pensionesh. Problemi që kemi me skemën është se për një pensionist punojnë 1,3 punëtorë, ndërsa mesatarja evropiane është 3”, tha Muçi.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli argumentoi se buxheti është hartuar brenda mundësive financiare të vendit, duke theksuar se një në çdo tre lekë shkon për mbështetjen sociale.
“Ana sociale është që nga 3 lekë të këtij buxheti, 1 shkon për pensionistët, për ata në nevojë, për të porsalindurit. Buxheti është në kufijtë e së mundurës. Kjo mazhorancë do të donte të jepte një miliard, sepse lufton për vota”, tha Çoçoli.
Për analistin Alban Daci, bonuset për pensionistët nuk janë zgjidhje për nivelin e ulët të pensioneve. Ai tha se Shqipëria ka nevojë për një ndërhyrje të thellë në skemën e kontributeve.
“Për ne që jetojmë jashtë shtetit, kur dëgjojmë këto shifra, na vjen për të qeshur. Shqipëria ka nevojë për një model ekonomik të mirë. Nuk ekziston koncepti i bonusit për pensionet. Duhet një reformë e thellë, një ndërhyrje e thellë për kontributet. Nuk është i tillë koncepti i një shteti. Pensionet në Shqipëri janë të turpshme. Po të mos kenë pensionistët fëmijët emigrantë, nuk blejnë dot as kafe”, tha Daci.
Analisti vuri në pikëpyetje edhe vendimin për të mbështetur financiarisht fëmijët deri në moshën 5-vjeçare, duke e krahasuar skemën e re me atë të Italisë.
“Bonusi i fëmijëve në Itali është deri në 18 vjeç, po në Shqipëri kush e vendosi kriterin për 5 vitet e para të jetës? Problemin më të madh buxheti i Shqipërisë e ka kush e vjedh. Qeveria duhet të tregojë cili është modeli i ekonomisë sot”, tha Daci.
Në diskutimin për modelin ekonomik të vendit, Çoçoli theksoi se rritja e të ardhurave nga administrimi fiskal mundëson më shumë mbështetje për qytetarët me të ardhura të ulëta.
“Modeli ynë ekonomik është të ndihmojmë ata që kanë më pak përmes më shumë të ardhurave nga administrimi i mirë fiskal. Në 35 vitet e fundit ky është buxheti më social”, tha Çoçoli.
Projektbuxheti i vitit 2027, që parashikon 976 miliardë lekë shpenzime, mori sot miratimin e Komisionit të Ekonomisë me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Për vitin e ardhshëm janë parashikuar 202 miliardë lekë investime publike dhe 24 miliardë lekë për pensionistët, me dyfishimin e bonuseve dhe indeksimin e pensioneve në prill.
Votimi përfundimtar i projektbuxhetit do të bëhet në seancën plenare të së enjtes, më 26 nëntor.





Komente
Komento