Komisioni i Ekonomisë miraton projektbuxhetin 2027 dhe projektligjin për tregjet e kriptoaseteve, rrëzohen propozimet e opozitës
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, miratoi në mbledhjen e sotme tre projektligje të rëndësishme financiare: projektbuxhetin e vitit 2027, projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve” dhe projektligjin “Për kontabilitetin në sektorin publik”, duke ia kaluar ato për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Çështja kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”, ku i pranishëm ishte zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, së bashku me stafin teknik të ministrisë. Kryetarja Ekonomi sqaroi se relatorja Antoneta Dhima kishte hartuar një raport përfundimtar mbi bazën e sugjerimeve të komisioneve parlamentare dhe dakordësisë me Ministrinë e Financave “për të rialokuar disa kërkesa që kanë ardhur nga disa institucione qendrore dhe të pavarura”. Gjatë shqyrtimit nen për nen, Dhima detajoi shtesat e fondeve buxhetore dhe rialokimet e zërave të shpenzimeve.
Nga radhët e opozitës, deputeti Bujar Leskaj paraqiti dy propozime për ndryshime në buxhet: uljen me të paktën 20% të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore krahasuar me vitin 2026 (duke përjashtuar fondet për vendimet gjyqësore, shëndetësinë, sigurinë kombëtare dhe rendin), si dhe rritjen e fondeve për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë.
Megjithatë, propozimet e tij nuk morën miratimin e komisionit. Nga ana e tij, deputeti Eno Bozdo parashtroi argumentet kundër projektbuxhetit dhe votoi kundër tij. Në përfundim, projektbuxheti i vitit 2027 u miratua nen për nen dhe në tërësi me 8 vota pro dhe 4 kundër.
Më herët gjatë mbledhjes, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”, pas diskutimeve dhe pyetjeve të drejtuara zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo.
Po ashtu, dritën jeshile mori edhe projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”, i prezantuar nga zëvendësministri i Financave, Andi Memeti. Ai theksoi se kjo nismë vjen në kuadër të reformës së financave publike dhe procesit të integrimit, me qëllim “krijimin e një kuadri të unifikuar, të qëndrueshëm dhe bashkëkohor ligjor për kontabilitetin publik, i cili aktualisht rregullohet përmes një sërë udhëzimesh”, duke përcaktuar qartë rregullat dhe përgjegjësitë e njësive publike për raportimin financiar. Relatorja Antoneta Dhima e vlerësoi projektligjin si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e raportimit financiar, duke ftuar kolegët ta mbështesin me votë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



