BE dhe NATO në alarm nga kërcënimi rus, Rutte paralajmëron: Ata po na testojnë, nëse nuk reagojmë do të rrisin presionin Lufta në Ukrainë mund të marrë fund vetëm përmes një marrëveshjeje që do të kërkonte lëshime territoriale nga Kievi dhe heqjen dorë nga perspektiva e anëtarësimit në NATO. Ky është qëndrimi i politologut amerikan Michael Des, i cili në një analizë të publikuar në revistën “Foreign Affairs” argumenton se SHBA-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht strategjinë e saj, duke ushtruar më shumë presion ndaj Ukrainës dhe duke ofruar stimuj ekonomikë e diplomatikë për Rusinë.
Në analizën me titull “Koha për një marrëveshje me Rusinë: Çfarë duhet të ofrojë Amerika për të arritur paqen në Ukrainë”, Des argumenton se sanksionet perëndimore dhe ndihma ushtarake për Kievin nuk kanë arritur të ndryshojnë objektivat e Vladimir Putinit. Sipas tij, vazhdimi i luftës rrit rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë dhe kërcënon unitetin e Perëndimit.
Pse mendon se sanksionet nuk funksionojnë?
Ai vë në dukje se që prej vitit 2014, veçanërisht pas pushtimit rus të vitit 2022, Moska është përballur me presion të paprecedentë ekonomik dhe ushtarak.
Ai citon të dhënat e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, sipas së cilës më shumë se 25 mijë sanksione i kishin kushtuar ekonomisë ruse rreth 1.5 trilionë dollarë deri në muajin qershor.
Megjithatë, sipas Des, as sanksionet dhe as ndihma ekonomike e ushtarake që Ukraina ka marrë nga SHBA-ja nuk e kanë detyruar Kremlinin të heqë dorë nga objektivat e tij.
Analisti përmend edhe marrëveshjen e tetorit mes Trumpit dhe Putinit për furnizimin me naftë ruse, me pezullimin e përkohshëm të sanksioneve amerikane. Trump e kishte paraqitur këtë lëvizje si një përpjekje për ta mbajtur Rusinë në tryezën e negociatave. Sipas Des, shkëmbime të tilla mund të rezultojnë më efektive për arritjen e paqes.
Sukseset ukrainase dhe epërsia ushtarake e Rusisë
Analiza pranon se forcat ukrainase kanë arritur suksese në Zaporizhja dhe në rajonin e Limanit, ku operacioni “Vivaldi” vonoi përparimin rus drejt Kramatorskut dhe Slovianskut.
Gjithashtu, sulmet ukrainase ndaj urës së Krimesë dhe objekteve ruse të naftës kanë shkaktuar probleme për transportin dhe furnizimin energjetik të Moskës.
Megjithatë, Des argumenton se këto suksese nuk përbëjnë një fitore strategjike. Sipas tij, Rusia vijon të ketë avantazhe të konsiderueshme në fushën e betejës dhe ka përshtatur taktikat, duke preferuar rrethimin e zonave të fortifikuara në vend të sulmeve frontale.
Ai thekson gjithashtu se intensifikimi i sulmeve ruse me dronë dhe raketa balistike ndaj infrastrukturës ukrainase, si dhe mungesa e raketave interceptuese PAC-3 për sistemet Patriot, po kufizojnë kapacitetet mbrojtëse të Kievit.
Çfarë duhet të pranojë Ukraina?
Sipas Des, negociatat janë tashmë e vetmja rrugë realiste për t’i dhënë fund luftës.
Për të arritur një marrëveshje, ai argumenton se Kievi duhet të pranojë lëshime territoriale ndaj Rusisë dhe të heqë dorë nga perspektiva e anëtarësimit në NATO, si dhe nga mundësia e një pranie të përhershme të forcave të Aleancës në territorin ukrainas.
Analisti sugjeron që Uashingtoni ta përdorë ndihmën ushtarake si mjet presioni ndaj Zelenskyt, duke kufizuar ose ndërprerë furnizimin me sisteme dhe shërbime të caktuara, përfshirë raketat Patriot, lidhjen satelitore Starlink dhe Starshield, si dhe informacionin për mbrojtjen ajrore dhe sulmet me rreze të gjatë veprimi.
Në këmbim, Trump mund t’i ofrojë Moskës lehtësim gradual të sanksioneve ndaj eksporteve të energjisë dhe transaksioneve financiare, si dhe rikthimin në sistemin ndërkombëtar ndërbankar SWIFT.
Frika nga NATO dhe ambiciet e Putinit
Des shpreh dyshime se Rusia ka kapacitetin ushtarak për të fituar një konflikt të drejtpërdrejtë me NATO-n, duke iu referuar vështirësive të ushtrisë ruse në Ukrainë dhe epërsisë së Aleancës në personel, pajisje dhe shpenzime ushtarake.
Sipas tij, objektivat e Moskës janë më të kufizuara nga sa pretendojnë disa analistë perëndimorë dhe përfshijnë kryesisht kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës dhe kufizimin e fuqisë ushtarake të Kievit.
Duke iu referuar bisedimeve në Abu Dhabi, ku Rusia kërkoi edhe tërheqjen e forcave të NATO-s nga Polonia dhe shtetet baltike, ai vlerëson se këto kërkesa mund të jenë pjesë e manovrave negociuese.
Trashëgimia politike e Trumpit dhe rreziku i përshkallëzimit
Analisti paralajmëron se vazhdimi i luftës rrit rrezikun e një përballjeje më të gjerë mes Rusisë dhe NATO-s, ndërsa kostot ekonomike dhe politike po vënë në provë unitetin e Perëndimit.
Ai beson se Trump ka edhe një motivim personal për të arritur një marrëveshje historike, pasi synon të lërë pas një trashëgimi diplomatike dhe të fitojë njohje ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Nobel për Paqen.
Një marrëveshje mund t’i shërbejë gjithashtu një objektivi më të gjerë strategjik amerikan: dobësimit të lidhjeve mes Moskës dhe Pekinit, të cilin Trump e konsideron rivalin kryesor afatgjatë të SHBA-së.
Des përfundon se një marrëveshje me Rusinë, pavarësisht kompromiseve të dhimbshme për Ukrainën, mund të jetë më e favorshme sesa vazhdimi i një lufte me kosto gjithnjë e më të larta njerëzore dhe me rrezikun e një konflikti më të gjerë.
Top Channel