Një ceremoni fetare e drejtuar nga kardinali shqiptar Ernest Simoni në Itali ka tërhequr vëmendjen në rrjete sociale për shkak të britmave dhe klithmave jo normale që u dëgjuan brenda kishës, ndërsa ai po recitonte një lutje për dëbimin e së keqes.
Ishte 17 nëntor, kur kardinali 98-vjeçar, në përfundim të meshës në Shenjtëroren e Shën Pios në San Giovanni Rotondo, nisi të recitonte në latinisht lutjen e ekzorcizmit kundër Satanait dhe engjëjve rebelë.
Në minutën 1:03 të videos dëgjohen britma të forta nga brenda kishës. E njëjta skenë përsëritet në minutën 1:48, ndërsa kardinali shqiptar vazhdon lutjen.
Por nga erdhën britmat? Ndonëse pamjet kanë nxitur interpretime të ndryshme në rrjetet sociale, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për shkakun e tyre.
Sipas mediave katolike, kardinali Simoni zgjodhi të recitonte formulën e plotë të ekzorcizmit të Papa Leones XIII, të vitit 1890, për të kërkuar mbrojtje nga e keqja, përballë luftërave, sëmundjeve dhe përplasjeve politike në botë.
Ndryshe nga lutja e zakonshme drejtuar Shën Mëhillit Kryeengjëll, kjo formulë e ekzorcizmit u nënshtrohet kufizimeve të vendosura nga Vatikani në vitin 1985.
Ekzorcizmi është pjesë e veprimtarisë fetare prej vitesh të kardinalit Ernest Simoni, i cili i mbijetoi burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.










Komente
Komento