Një grup kriminal shqiptar, i specializuar në grabitjen e banesave në Spanjë, është shkatërruar nga autoritetet spanjolle në kuadër të operacionit të koduar “Ziralla”. Tre shtetasit shqiptarë, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., dyshohet se janë autorë të të paktën 17 grabitjeve në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña, ndërsa të tre ndodhen tashmë në paraburgim.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është mënyra e organizimit të grupit, i cili arrinte të përfundonte një grabitje në banesa brenda vetëm 10 minutash. Sipas gazetës spanjolle “La Región”, shqiptarët përdornin pajisje të specializuara dhe teknologji për të identifikuar sendet me vlerë dhe për të shmangur gjurmimin nga policia.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan targa të palosshme, të cilat ndërroheshin vazhdimisht për të fshehur identitetin e automjeteve. Mes pajisjeve të përdorura nga grupi kishte edhe prerëse hidraulike për të shqyer hyrjet e banesave, si dhe reagentë kimikë që shërbenin për të kontrolluar në vend pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura. Kjo u mundësonte grabitësve të dallonin brenda pak sekondash sendet me vlerë nga ato të falsifikuara.
Një tjetër element i rëndësishëm i mënyrës së tyre të veprimit ishte shmangia e kontaktit me banorët. Sipas autoriteteve spanjolle, ata përzgjidhnin banesa ku nuk kishte njerëz brenda dhe largoheshin menjëherë nëse konstatonin praninë e dikujt.
Kapiteni Juan José López, nga Njësia Organike e Policisë Gjyqësore të Gardës Civile, shpjegoi se grupi nuk hynte në banesa nëse aty ndodheshin persona, ndërsa në rast se përballeshin papritur me një banor, largoheshin menjëherë.
17 grabitje në disa provinca, hetimet nisën më 30 tetor
Sipas “La Región”, hetimet nisën më 30 tetor, pasi autoritetet identifikuan gjashtë grabitje në provincën Ourense. Dy prej tyre u regjistruan në A Merca dhe Allariz, ndërsa më 1 nëntor u konstatuan raste në Vilanova dos Infantes dhe Barbadás. Më 4 nëntor, hetuesit zbuluan dy grabitje të tjera në Coles dhe Vilamarín.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “La Voz de Galicia”, grupit i atribuohen rreth 20 grabitje në të tria provincat, përfshirë të paktën shtatë raste në zonën e A Estrada, Vila de Cruces dhe Forcarei.
Hetuesit dyshojnë se numri i veprave penale mund të jetë edhe më i lartë, pasi po analizohen ende provat dhe sendet e sekuestruara gjatë operacionit.
U fshehën në pyll, flinin në çadër për t’i shpëtuar policisë
Pas kryerjes së grabitjeve, tre shqiptarët largoheshin nga Galicia më 7 nëntor, por u rikthyen katër ditë më vonë. Gjatë kësaj kohe, Garda Civile tentoi t’i arrestonte në dy raste, por ata arritën t’u shpëtonin kontrolleve policore.
Për t’iu shmangur autoriteteve, të dyshuarit kishin krijuar një strehë të improvizuar në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë për t’u aksesuar në provincën e Pontevedra-s, ku flinin në një çadër kampingu.
Ata lëviznin me automjete kompakte me fuqi të lartë, një prej të cilave kishte më shumë se 350 kuaj fuqi dhe sistem me katër rrota aktive. Sipas hetuesve, automjetet u mundësonin të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarjet dhe t’u shpëtonin ndjekjeve.

Përplasën makinat e policisë gjatë arratisjes, arrestimi përfundoi me aksident
Operacioni përfundimtar për arrestimin e tyre u zhvillua më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedra-s. Kur efektivët e Gardës Civile vendosën një postbllok për të ndaluar automjetin ku udhëtonin shqiptarët, këta të fundit tentuan të çanin rrethimin duke përplasur dy makina zyrtare të policisë.
Pavarësisht përplasjes, ata vijuan arratisjen, por pak më tutje drejtuesi humbi kontrollin e automjetit, i cili përfundoi i përmbysur pasi ra në një terren të pjerrët.
Tre shqiptarët mbetën të plagosur dhe u transportuan në Spitalin Universitar të Ourense-s, ku morën ndihmën mjekësore për dëmtime të ndryshme. Pas trajtimit, ata u vunë në dispozicion të drejtësisë dhe u caktua masa e paraburgimit.
Gjatë kontrolleve në zonën ku strehoheshin, autoritetet zbuluan pesë automjete të përdorura për grabitjet, vare, veshje të errëta, kapele, maska dhe targa të ndryshme. Gjithashtu, u sekuestruan bizhuteri, disa prej të cilave janë identifikuar nga pronarët e ligjshëm, si dhe më shumë se 5 mijë euro në para të gatshme.
Nënkoloneli Rafael Berguillo e cilësoi grupin si veçanërisht të rrezikshëm, duke theksuar se të dyshuarit nuk kishin nevojë domosdoshmërisht për armë zjarri, pasi përdornin automjetin si mjet për të goditur këdo që u dilte përpara gjatë arratisjes.
Një tjetër detaj që po hetohet është mundësia që grabitësit të kenë marrë sinjalizime për kontrollet e policisë përmes aplikacioneve ose drejtuesve të tjerë të automjeteve. Kapiteni López u bëri thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë informacione për postblloqet e Gardës Civile, pasi kjo mund t’u japë mundësi personave të dyshuar për krime t’i shmangen arrestimit dhe të vijojnë aktivitetin e tyre.
Hetimet për operacionin “Ziralla” vijojnë, ndërsa autoritetet spanjolle nuk përjashtojnë mundësinë që tre shqiptarëve t’u atribuohen edhe grabitje të tjera pas analizimit të plotë të provave të sekuestruara.










